Tiranë, 24 mars, NOA - Projekti i rikonstruksioni të sheshit "Skënderbej", ka rikthyer në vëmendjen e opinionit publik debatet mes qeverisë dhe bashkisë së Tiranës. Pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, ka reaguar menjëherë bashkia e Tiranës. Sipas zëdhënëses së saj, Joana Bushi, qeveria prej dy vitesh ka penguar shpronësimet në një segment të unazës së vogël duke u bërë kështu shkaktare e vonesës së fillimit të punimeve për rindërtimin e sheshit.
"Bashkia e Tiranës ndërkohë ka bërë planin alternativ të qarkullimit dhe ka lajmëruar këto ditë fillimin e punimeve, të cilat do të nisin shumë shpejt, mbi një projekt të shkëlqyer, që transformon sheshin në një hapësirë këmbësore pa makina. Ky projekt do të fillojë zbatimin në ditët në vazhdim dhe falë mbështetjes financiare të shtetit mik të Kuvajtit.
Nëse Kryeministri do të kontribuojë për Tiranën, le të zbatojë ligjin që e detyron qeverinë të bëjë shpronësimet dhe le të çlirojë fondin e premtuar prej tij para dy vitesh, për të hapur segmentin rrugor në verilindje të sheshit", u shpreh zëdhënësja e bashkisë.
Ajo theksoi se Tirana nuk ka nevojë për asfaltin qeveritar në sheshin "Skënderbej", për të thelluar gropën e autonomisë vendore e për të krijuar një ngjarje "alla Zog i Zi", po për një qeveri që sillet me kryeqytetin konform ligjeve të vendit e në respekt të detyrimeve të veta kundrejt qytetarëve.
Bashkia e Tiranës ka garantuar se fillimi i punimeve në sheshin "Skënderbej" është çështje ditësh.
Sipas saj, mundësia për qarkullimin e makinave pasi të fillojnë punimet është sfida për të cilën qeveria është e mirëpritur të kontribuojë me fondin e nevojshëm, për hapjen e aksit të mbetur të Unazës së Vogël, ku gjendet sot godina e "Insigut".
b.a/NOA