Prishtinë, 24 mars, NOA - Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ndodhet për një vizitë zyrtare në Londër. Ai është takuar me sekretarin e Jashtëm David Milband dhe ministrin për Evropën, Chris Bryant.
Dy zyrtarët e lartë u zotuan për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë në përpjekjet e Kosovës për të siguruar njohje të gjerë ndërkombëtare dhe për të marrë pjesë në takime rajonale dhe ndërkombëtare, thuhet në një deklaratë për shtyp të Ministrisë së Jashtme britanike.
Z.Hyseni, duket se zyrtarët evropianë, përfshirë ata britanikë po kërkojnë të ketë një dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. A ka gjasa që kjo të ndodhë dhe nëse po, për çfarë mund të bisedonit?
- Nuk është kërkesë vetëm e miqve britanikëve dhe miqve të tjerë ndërkombëtarë që Kosova i ka të shumtë, është kërkesë edhe permanente e Kosovës që me Serbinë të fillohet me një normalizim marrëdhëniesh, duke biseduar fillimisht për çështje praktike të interesit të ndërsjellë, të fillohet me çështje më të lehta praktike, mirëpo gjithnjë këto biseda mund të zhvillohen ekzkluzivisht mbi bazën e bisedave që zhvillojnë dy shtete të pavarura dhe sovrane dhe ne këtë pikë kemi pajtim të plotë edhe me qeverinë britanike, kishim pajtim të plotë dje gjatë takimit edhe me sekretarin e jashtëm David Miliband. Është qëndrim i qartë i Kosovës, madje Kosova angazhohet fuqimisht që Serbia ti bashkohet përpjekjeve të të tjerëve në Ballkanin perëndimor, për të krijuar një atmosferë bashkëpunimi e mirëkuptimi në Ballkan, në fund të fundit edhe si një prelud i integrimeve të qëndrueshme evropiane dhe euroatlantike përgjithësisht.
Domethënë asgjë e re në këtë rrafsh, është botërisht i njohur qëndrimi i Kosovës, i Republikës së Kosovës se do edhe do të bisedojë me Serbinë, njësoj si me të gjithë fqinjët për çështje të ndryshme, mirëpo asnjëherë Kosova nuk do të bisedojë për statusin, i cili tashmë është i përfunduar, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur mbi nga 65 vende dhe gjithsesi Kosova asnjëherë nuk do të bisedonte dhe nuk do të denjonte, amdje as me shqyrtim, kërkesat për ndarje të Kosovës, kërkesat për opsione të ndryshme, të cilat në thelb janë tepër destabilizuese për gjithë rajonin.
Ju thatë që çështjet që nuk do të diskutohen janë statusi dhe ndarja. Po a ka gjasa që këto bisedime të ndodhin shpejt, gjatë këtij viti për shembull?
- Gjithnjë flas në nivel parimesh, dhe nivel parimi do të thotë Kosova është e gatshme të fillojë këto biseda nesër. Përshtypja ime dhe e gjithë bashkëbiseduesve të mi, përfshirë edhe sekretarin Miliband, është se Serbia nuk është e gatshme të pranojë se Kosova ekziston, se ka nje shtet të Kosovës, kjo nuk nënkupton njohje formale, zyrtare nga ana e Serbisë, nënkupton pranim të një realiteti, i cili është i pashmangshëm dhe i paevitueshëm. Edhe njëherë po them Kosova është shumë e qartë në qëndrimin e saj, nuk ka asgjë kontestuese, madje ka pajtim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare rreth këtij qëndrimi që Kosova mban.
Zoti Hyseni, a mund të thuhet se në dy vitet pas pavarësisë ka shenja afrimi të Kosovës me Serbinë apo ka ndodhur e kundërta?
- Fatkeqësisht ka ndodhur e kundërta, Serbia vazhdon të vendosë, do ti quaja postblloqe diplomatike të llojllojshme, në rrugën e Kosovës drejt konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së saj, dhe këto postblloqe në anën tjetër po rrisin spektrin e konfrontimit, dhe kjo e bën gjithnjë e më të vështirë një dialog përmbajtësor, një dialog të shëndoshë, si do duhej të ishte një dialog mes vendesh fqinje.
Sido që të jetë, përderisa Serbia angazhohet për izolim, madje për bllokim total të Kosovës, ne do të vazhdojmë të këmbëngulim në raporte të mira fqinjësore, do të vazhdojmë të këmbëngulim në dialog fqinjësor, për çështje të ndryshme, do të vazhdojmë të këmbëngulim në një shkallë përmbajtësore bashkëpunimi në nivel rajoni, gjithnjë si nevojë e domosdoshme, si parapërgatitje, si një parakusht për integrime të sigurta euroatlantike, shihni ka shtatë vende në Ballkanin Perëndimor, që të gjitha duan të integrohen në BE dhe asnjëra nuk mund të arrijë në Bruksel shumë më herët sesa të tjerët, vetë natyra e Ballkanit perëndimor nuk duron një integrim gradual të rajonit. Ky integrim duhet të ndodhë pak a shumë në të njëjtën kohë dhe duhet të përfshijë të gjitha vendet, natyrisht pashmangshëm do të përfshijë edhe republikën e Kosovës.
Sa të rëndësishëm e shihni ju ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, apo fqinjve në dialogun me Serbinë?
Skënder Hyseni: E mira e së mirës do të ishte që çfarëdo lloj bisedash që bëhen me Serbinë për çështje praktike, gjithnjë po flasim për çështje praktike, të jenë biseda të drejtpërdrejta, dhe jo domosdoshmërisht duhet të ketë ndërmjetësues, po në anën tjtër Kosova në anën tejtër nuk e ka refuzu dhe nuk refuzon, përkrahjen, ndihmën që mund të japin qarqe të ndryshme ndërkombëtare, sidomos ato vende që vërtetë sponsorizojnë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Edhe gjatë takimit këtu në Britani me ministrin Bryant dhe atë Miliband, u fol edhe për mbështetjen që do të japë ky vend për njohjen e Kosovës, sikurse edhe për përfshirjen e saj në forumet ndërkombëtare dhe ato rajonale. Si po ecën përfshirja e Kosovës në këto forume?
- Së pari, unë dua të falënderoj edhe publikisht sekretarin Miliband në veçanti për përkrahjen që i ka dhënë procesit të njohjeve, për përkrahjen që më jep mua personalisht si ministër i Jashtëm i republikës së Kosovës në këto përpjekje për të fituar sa më shumë njohje, dhe kjo përkrahje është shumë e çmueshme dhe e rëndësishme për Kosovën, njësoj siç është përkrahja që ne marrim në këtë plan nga këto ende mike të Kosovës. Në anën tjetër pjesëmarrja e Kosovës në forume të ndryshme ndërkombëtare, unë e thashë pak më herët Serbia po vazhdon fatkeqësisht të bëjë çmos që të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës në këto institucione, në këto nisma, në këto struktura. Në anën tjetër Kosova është po ashtu fuqimisht e përcaktuar që do të marrë pjesë gjithandej vetëm mbi baza të barabarta, dhe asnjëherë nuk do të lejojë që të diskriminohet në çfarëdo forme sa i përket formatit të pjesëmarrjes. Ne jemi pajtuar që çfarëdo që të jetë formati për gjithë të tjerë, të vlejë edhe për Kosovën dhe këtu nuk kemi asnjë arsye dhe do të bëjmë çmos të jemi pjesë e të gjitha nismave, por jo me çdo kusht, jo në kurriz të pavarësisë së Kosovës, jo në dëm të sovranitetit, të natyrës sovrane të shtetit të Kosovës, nuk do të lejojmë që me asnjë veprim të dëmtojmë ose të vëmë në pikëpyetje sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.
Një mision i ri i BE-së për veriun e Kosovës do të hapë zyrtarisht zyrat në Mitrovicën e Veriut nga fundi i kesaj jave. Çfarë prisni ju autoritetet e Kosovës që të arrijë ky mision?
- Ne me te drejtë presim që misionet ndërkombëtare do të ndihmojnë që autoritetet qendrore të Kosovës të shtrijnë autoritetin e tyre gjithandej Kosovës. Për një kohë shumë të gjatë na është thënë dhe po e them, shumë troç dhe haptazi na është thënë, na lini kohë, na jepni kohë, ne do të merremi me këtë, do të vijë koha.
Tashti koha ka skaduar dhe është momenti i fundit që qeveria qendrore, autoritetet qendrore të republikës të shtrijnë autoritetin e tyre gjithandej Kosovës, dhe natyrisht në këtë proces ne e mirëpresim, për më tepër kemi ftuar ndihmën dhe përkrahjen e gjithanshme të bashkësisë ndërkombëtare dhe të pranisë ndërkombëtare në terren. Jam optimist që do të përfundojë me sukses kjo iniciativë.
Z.Hyseni, sot serbët e Kosovës, në veri të Kosovës protestojnë në atë që është edhe përvjetori i bombardimeve të NATO-s. Si e shikoni ju këtë?
- Fillimi i bombardimeve te NATO-s ka shënuar fillimin e përfundimit të një konflikti të tmerrshëm, i cili synonte të deportonte miliona shqiptarë nga Kosova, synonte të kishte premisa të qarta genocidi dhe synonte ta krijonte Kosovën vend pa njerëz, ta kthente Kosovën në një territor pa njerëz, dhe nuk do duhej te protestonte askush për këtë, përkundrazi çdokush do të duhej të shënonte me nje përkujtim miradije dhe falënderimi këtë fillim të kësaj ngjarjeje, bombardimeve, të cilat kishin vërtetë për synim parandalimin e një katastrofe edhe humane gjithsesi dhe këtu nuk do të duhej të kishte arsye asnjëherë për protesta. Nuk është hera e parë që komuniteti serb në Kosovë manipulohet për qëllime të ndryshme politike, për pena politikë, kryesisht nomeklaturës politike në Beograd fatkeqësisht. Beogradi bën çmos që të shfrytëzojë serbët e Kosovës për qëllime të veta, po në anën tjetër nuk bën asgjë për t'u përmirësuar jetën në Kosovë.
BBC