English

Topalli: Xhafaj shpif për votimin e komisionit

Tiranë, 24 mars, NOA - Deklaratat e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafa, për parregullsi gjatë votimit të vendimit për komisionin hetimor, që do të bëjë transparencën e zgjedhjeve, kanë sjellë dhe reagimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

Zëdhënësja e kryeparlamentares, Suela Ruseti, në një deklaratë për mediat i ka cilësuar deklaratat e deputetit Xhafa, gjatë një interviste televizive, si shpifje.

"Lidhur me deklaratat e pavërteta dhe të papërshtatshme të zotit Fatmir Xhafaj, i bëjmë të ditur opinionit publik, që ka ndjekur në transmetim direkt seancën plenare të datës 19/03/2010, se Kryetarja e Kuvendit i ka lexuar gjatë seancës plenare emrat e sjellë nga grupi i mazhorancës për anëtarë të Komisionit hetimor për zgjedhjet, dhe jo siç thotë zoti Xhafaj se, emrat janë shtuar pas seancës", u shpreh Ruseti.

Ajo ka deklaruar se përfaqësuesit e PS-së mund të shkojnë në Kuvend për të parë votimin dhe gjithë procedurën e ndjekur një javë më parë në Kuvend.

"Ftojmë zotin Xhafaj si dhe zotin Rama të vijnë e të marrin të gjitha kasetat filmike të seancës, ku Kryetarja e Kuvendit ka lexuar vendimin së bashku me emrat. I kërkojmë zotit Xhafaj të kërkojë ndjesë të thellë Kryetares së Kuvendit për gënjeshtrën dhe shpifjen e bërë dje, gjatë një emisioni televiziv", u shpreh Ruseti.

m.xh/NOA

KOMENTE