Tiranë, 24 mars, NOA - Presidenti Bamir Topi nderoi sot me urdhrin "Nderi i Kombit", artistin e madh të skenës dhe të kinematografisë shqiptare, aktorin Sandër Prosi (pas vdekjes), me motivacionin "Si personalitet i shquar i skenës dhe i ekranit me kontribute të çmuara në krijimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të artit teatral dhe kinematografik shqiptar".
Çmimi i është dorëzuar në kuadrin e një ceremonie zyrtare Aristidh Prosit, të birit të aktorit të ndjerë.
"Njerëzit e mëdhenj si Sandër Prosi janë shenjtorët laikë të kohës sonë. Secili prej nesh, duke ardhur në këtë sallë, në vetvete do të ketë menduar se nuk jemi ne që po nderojmë Sandër Prosin, por është pikërisht ai që na nderon ne me veprën dhe sidomos me profilin e tij njerëzor", tha në fjalën e tij kreu i shtetit.
Ndër të tjera, ai tha se Prosi "ishte një artist i fjalës. Një nga më të mëdhenjtë e fjalës shqipe. Fjala për të nuk kishte sekrete, ai ishte i pushtetshëm ndaj saj pikërisht në kohën kur fjala dhe liria e saj kishin marrëdhënien më tragjike në këtë vend".
"Sandër Prosi ishte një nga kolonat e artit të shtatë në Shqipëri. Themeluesit e teatrit shqiptar kanë një karakteristikë që i bën ata pjesë të asaj historie që shndërrohet në pikë referimit për brezat, ata kishin talentin e madh, talent si ai i Sandër Prosit", tha ndër të tjera kreu i shtetit.
Duke e vlerësuar me titullin "madhështor" si Marçelo Mastrojani, kreu i shtetit shtoi se "modeli që Sandër Prosi na la jo vetëm ne, që patëm fatin ta njihnim për së gjalli, por edhe atyre që e njohin e do ta njohin vetëm nga filmat që shohin, është mundësi për kuptuar se inteligjenca, pasioni, dashuria për të bukurën rezultojnë si objekti më i lartë i vlerësimit për kultin modern të njerëzve të mëdhenj".
n.e/NOA