Tiranë, 24 mars, NOA - Shqipëria prej vitesh i ka shpallur luftë tuberkulozit, e megjithatë zonat verilindore ku numri i të prekurve është më i madh, vazhdojnë të tregojnë rezistencë ndaj sëmundjes infektive. Në ditën botërore të tuberkulozit, mjekët specialistë të spitalit të Sëmundjeve të Mushkërive "Shefqet Ndroqi", kanë bërë apel për rritjen e programeve sociale në këto zona pasi dhe niveli I varfërisë është shumë më i lartë se në zonat e tjera.
Drejtori i programit kombëtar për parandalimin e tuberkulozit, Hasan Hafizi, deklaroi sot se çdo vit raportohen rreth 400 raste të reja kryesisht në zonat verilindore.
"Prej disa vitesh ne jemi të kënaqur me ecurinë e sëmundjes në vend, pasi shohim se rastet janë ulur ndjeshëm por ka ardhur koha që programet mjekësore të ndërthuren me ato sociale.
Kategoritë më të prekura janë po ato që kemi pasur në vite, të pastrehët, personat me HIV, grupet e margjinalizuara siç janë komuniteti rom e egjiptian.
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që për pacientët e prekur me tuberkuloz përveç mjekimit falas që marrin në spital të përfitojnë dhe mbështetje ekonomike", u shpreh mjeku specialist.
Në bazë të programit kombëtar për parandalimin e sëmundjes së tuberkulozit mjekimi për pacientët e prekur është bashkëkohor por problem sipas mjekëve mbetet sensibilizimi i të sëmurëve për të vazhduar mjekimin.
"Problemi thelbësor që na shqetëson aktualisht është mjekimi korrekt i pacientëve të prekur me tuberkuloz, pasi nëse ata e refuzojnë rrezikojnë veten nga vdekja por mund të bëhen dhe rezistentë ndaj mjekimit. Në këtë ditë i bëj apel gjithë popullatës që të informohen për sëmundjen e tuberkulozit, pasi ai sot është komplet i shërueshëm. Kujdes duhet të kenë në vazhdimin e mjekimit edhe pse kura e tij zgjat shumë gati 6 muaj, ata duhet të vazhdojnë të mjekohen edhe në rastet kur shohin se nuk kanë asnjë shqetësim", tha Hafizi.
Prej katër vitesh, Shqipëria përfiton një fond prej 1 milionë e 260 mijë dollarë për parandalimin e përhapjes së tuberkulozit.
Kjo ka bërë që vendi ynë të mos jetë më një ndër vendet me numrin më të lartë të tuberkulozit në rajon.
b.a/NOA