Tiranë, 24 Mars NOA - Në 11 vjetorin e sulmit të Aleancës së Atlantikut të Veriut për çlirimin e Kosovës nga regjimi barbar i Millosheviçit, Kryeministri Sali Berisha përshëndet këtë vendim historik të Aleancës së Atlantikut të Veriut si një nga ngjarjet më madhore në historinë e Aleancës dhe të Evropës së Pasluftës, tha sonte, Zyra e Shtypit pranë Kryeministrit.
Sulmi kundër regjimit të Millosheviçit dhe forcave ushtarake të Serbisë së asaj kohe, 11 vjet më parë, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Kosovë, shënon një kthesë vendimtare në historinë e lirisë të popujve të Ballkanit por shënon edhe një dimension të ri të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Plot 11 vjet më pas Kosova e lirë dhe e pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti në Rajon, është dëshmia më e madhe e drejtësisë së vendimit të ndërhyrjes së Aleancës së Atlantikut të Veriut për çlirimin e saj.
Shqiptarët në Kosovë, Shqipëri e kudo ndodhen, do të mbeten përjetë mirënjohës Presidentit amerikan Klinton, i cili udhëhoqi këtë luftë si dhe vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut për vendimin e tyre.
Kryeministri Berisha përshëndet me këtë rast të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët gjatë këtyre 11 viteve u ngritën mbi shkrumbin dhe hirin e barbarive të Millosheviçit dhe po ndërtojë shtetin e tyre në themelet e të cilit qëndrojnë vlerat për të cilat Aleanca e Atlantikut të Veriut u angazhua në luftë për çlirimin e tyre.
e.r/NOA