English

Harta e varfërisë, ja zonat më të prekura në vend

Tiranë, 25 mars, NOA - Në zonat veriore dhe verilindore, niveli ekonomik është nën minimumin jetik dhe këtë e pohojnë vetë institucionet shtetërore. Grupi i punës i ngritur në ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe i drejtuar nga zëvendësministri Kastriot Sulka kanë tashmë gati të dhënat mbi zonat të cilat raportojnë varfëri ekstreme.

Një nga anëtarët e grupit, nëndrejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Leonard Strazimiri, ka deklaruar sot se familjet që jetojnë në varfëri ekstreme i përkasin zonës së Shkodrës, Dibrës, Kukësit, Elbasanit, Korçës dhe Lezhës.

"Grumbullimi i të dhënave është bërë i mundur në bashkëpunim me institucionet që disponojnë statistika të tilla dhe nga vëzhgimet e inspektorëve tanë në terren. Gjithashtu kemi bashkëpunuar me njësitë vendore dhe kryepleqtë e çdo fshati për të pasur shifra të sakta të numrit të familjeve që jetojnë në varfëri ekstreme. Duhet të theksoj se të dhënat që disponojmë janë paraprake pasi vazhdon puna për përpunimin e tyre si dhe grumbullimin nga terreni", u shpreh Strazimiri.

Të gjitha këto të dhëna do të shërbejnë për krijimin e hartës së varfërisë, sipas një urdhri të kryeministrit Berisha dhënë ministrisë së Punës.

Përcaktimi I numrit të familjeve më të varfra do të shënojë dhe hapin e fundit të punës për hartën e varfërisë.

Kjo hartë do ti japë mundësi institucioneve të shërbimit social në vend të ndërhyjnë për ti ardhur në ndihmë këtyre familjeve me një paketë ushqimore çdo muaj në formë tolloni. Kjo do të lehtësojë sadopak nivelin ekonomik të tyre.

b.a/NOA

KOMENTE