English

Imami: Kosova duhet të jetë në NATO

Tiranë, 25 mars, NOA - Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka deklaruar sot se Kosova e ka vendin në NATO. Në konferencën e zhvilluar sot në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, Imami ka theksuar se pjesë e strategjisë së NATO-s në rajon duhet të jetë dhe hyrja e Kosovës në Aleancën e Atlantikut Verior.

Në konferencën me temë, "NATO, Koncepti i Ri Strategjik dhe Shqipëria", ishin të pranishëm zëvendësministrat e Mbrojtjes Arjan Starova dhe Zana Xhuka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Maksim Malaj, si dhe gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm.

Në këtë takim, Imami shtjelloj dhe konceptin e shtetit shqiptar në lidhje me reformën e re në NATO.

"Pavarësisht se Koncepti i Ri Strategjik është në proces diskutimi e miratimi, sfidat për përballimin e rreziqeve dhe kërcënimeve janë të përhershme. Prandaj nga ne kërkohet: sigurimi i kapaciteteve të reja për realizimin e një mbrojtje efektive kundër terrorizmit dhe sulmeve në rrjetet e internetit; transformim në mënyrën e planifikimit, organizimit dhe kryerjes të operacioneve; duhet të reformojmë strukturat dhe organizimin tonë, për të ardhmen na duhet një Forcë e Armatosur më operacionale, struktura të sigurisë më efektive dhe më pak burokratike, me burime financiare e njerëzore të adresuara me prioritete", tha Imami.

m.xh/NOA

KOMENTE