Nju Jork, 25 mars, NOA /Milena Selimi - Laureta Ismailaj është një artiste shqiptare, e cila jeton prej vitesh në Nju Jork, e cila pas ekspozitave të suksesshme në Shqipëri, ku ajo ka përdorur me sukses materiale të rrobës, xhamit, drurit, fijeve të drurit, plastikës dhe të tjera, tashti mëton suksesin në modë ...me mëndafshin.
Ditët e fundit, ajo po përgatitet për një sfilatë mode, në një Galeri në Nju Jork.
Deri më tani, ka përcaktuar kohën dhe linjën që do të ndjekë, ndërsa mbeten për tu përcaktuar modalitetet dhe elementët, sesi do ta zgjidhë shoun e saj në fashion.
Synon të kapë një trend vajzash me të ardhura vjetore, të cilat fillojnë nga 35.000 USD dhe që shkojnë deri më 90.000 USD e më sipër.
Më interesantja është se përpjekja e saj nuk mbaron vetëm me këtë kategori, që i pëlqen thjesht trendi i mëndafshit dhe hapësira e shpërfaqjes së saj. Ajo do të ketë një vend dhe për moshat nga 55 vjeç deri më 70 vjeç.
Një risi e vërtetë kjo. Mbase këtu do të jetë një nga veçoritë e saj. Kuptohet se nuk mund t'i shpëtojë trendit të saj, ku bashkë me të do të jenë një seri "e tërë aksesorësh të realizuara nga materiale të mbetura copash, gurësh kristali Swarovski, karton i trajtuar, lëkurë e trajtuar, etiketa të ndryshme, që të gjitha bashkë do të jenë në funksionim të këtij koleksioni. Masat që kam zgjedhur janë 4 dhe 6".
Laureta ka qenë gjithnjë e veçantë jo vetëm për temat që ka sjellë por dhe materialet të cilat ka përdorur.
Që herët, ka pasur si kult: Femrën dhe bukuritë e saj trupore, format e trupit të cilat i japin hijeshinë asaj dhe që shfaqen me ndihmën e materialeve, që ajo ndjen më shumë. E veçanta e saj është se i përdor natyrshëm materiale të rrobës, xhamit, drurit, fijeve të drurit, plastikës dhe të tjera.
Përdorimi i mëndafshit tek Laureta ka filluar që kur studionte në shkollën e dizajnit në Parsons.
"Gjithmonë mëndafshi më ka lejuar të luaj me volumin, palat me siluetën e trupit të femrës dhe butësia e saj që të bën të ndihesh mirë brenda saj. Mundësia e lyerjes së saj më ka lejuar t'i shtrij aftësitë e mia deri tek produkte, të cilat mund të vishen nga të dyja anët. Për mua, dizenjimi është konsiderimi i një cope arti e cila lëviz në hapësirë dhe fillon të marrë forma të ndryshme", tregon ajo.
m.s/n.e/NOA