English

Ruzhdija është autogol

Përmendën Ruzhdien? Ruzhdija është autogol i tyre, sepse pavarësisht se PD e kërkoi këtë gjë në KQZ, e kërkoi në gjykatë, Ruzhdija u rrëzua sepse kishte parregullsitë që kishte, dhe ata që kanë bërë parregullsitë, le të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Ka raste të tjera? Le ti çojnë në Prokurori, sepse kështu funksionon Shteti i së drejtës

Nga Ilir Meta*

Zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme

...Ju e dini shumë mirë që këta e kërkuan çdo gjë, vetëm e vetëm në radhë të parë që të bënin një kod diskriminues për të zhdukur aleatët e tyre. Dhe u bënin presion votuesve, siç ishte rasti i votuesve të LSI, që ishte një forcë politike e konfirmuar në dy zgjedhje midis 8-10%, për tu thënë që "ne do t'ua vjedhim votat po votuat ju për LSI, kështu që kjo është votë kot, për Berishën ju nuk votoni se jeni të majtë, kështu që më mirë kalojini votat këndej, sepse kjo është e vetmja rrugë që ju mbetet".

Dhe këta janë kaq hipokritë, saqë e di shumë mirë edhe Kryetarja e Kuvendit, të cilës i kam protestuar kur vinte këtu të na vizitonte në grevë urie, kur kishim këtu Spartak Brahon duke vdekur. "Përse i viziton ata, përse nuk i nxjerr jashtë ata?". Cfarë kërkonim ne? Kërkonim zgjedhje sa më transparente, këtë kërkonim. Dhe vazhdojnë akoma me hipokrizinë e tyre. Iu desh 6 muaj gjoja për të kuptuar që duhet të vinin në Parlament për të paraqitur disa nisma, kur kjo gjë u kërkua që në fillim. Mazhoranca e Komisionit hetimor dhe gjithçka u është dhënë që në fillim. Atëherë për çfarë ankohen tani? Ankohen se nuk kanë mazhorancë? Mazhorancën e kanë, Komisioni është krijuar. Të vijnë kur të duan, ta marrin. Duan Kryetarin, e kanë! Duan të hetojnë për të burgosurit që janë përdorur në zgjedhje, e për dyshime të tjera, të hetojnë. Duan të hetojnë për kutitë? Po patjetër. Le t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Le t'i drejtohen edhe Komisionit të Venecias! Duan të çojnë në bankë Komisionerët e tyre që kanë firmosur proces-verbalet? Po, le t'i drejtohen Prokurorisë që ka gati fondet kur të dëshirojë për 100 prokurorë.

Por këta nuk duan transparencën e zgjedhjeve. Këta duan destabilizimin e Shqipërisë. Duan turpërimin e Shqipërisë, si një vend i cili nuk është në gjendje të forcojë shtetin ligjor. Këta ankohen se nuk u kemi pranuar listën e tyre, që të kemi Komision hetimor parlamentar për 24 muaj. Çfarë do të thotë kjo? 7-8 muaj kanë kaluar, por edhe 24 muaj? Pra shqiptarët të rrinë çdo ditë e të dëgjojnë përrallat e tyre për gjoja-zgjedhjet. Dhe ndërkohë këta kanë hallin e ekonomisë, bujqësisë, dhe hallet e tjera. Duan t'i mbajnë shqiptarët 4 vjet me kutitë e me fletët e votimit. Nuk kanë këtë shqetësim. Jo vetëm kaq, por këta duan që Shqipëria, jo 4 vjet, por edhe 40 vjet të tjera të ketë vetëm këtë punë.

Sepse këta duan ta instalojnë si precedent; që të bëhet reforma zgjedhore, të bëhet kodi zgjedhor, të bëhen zgjedhjet, të vendosë KQZ, Gjykata, të shpallë OSBE-ODHIR rezultatin e zgjedhjeve, dhe këta thonë: "të bëhet një ligj në mënyrë që për çdo zgjedhje, edhe në 2013, edhe në 2017, edhe në 2057, le ti japim të drejtën kujtdo, pasi kanë mbaruar zgjedhjet, pasi është konfirmuar çdo gjë, përsëri të fillojë e njëjta procedurë, i njëjti avaz". Në cilin vend të botës ndodhin këto gjëra? A kishte defekte kodi zgjedhor që e bënë vetë? Hajde të krijojmë Komisionin, rekomandimet e OSBE-ODHIR-it janë, dhe gjithçka të përmirësohet. Por zgjedhjet bëhen në kohën e zgjedhjeve. Shqipëria nuk mund të jetë mot e jetë në zgjedhje, sepse Shqipëria ka shumë probleme të tjera të cilat duhen zgjidhur.

Kanë hallin e transparencës, këta që bënë zgjedhje pa kamera, dhe e vetmja kamera që ishte atje, ishte fshehur, kameramani desh rrezikoi jetën për t'u dhënë një moment zgjedhjesh dhe një moment partie, kur kemi 20 vjet që këto gjëra bëhen hapur.

U gëzuan shumë kur u bë rezoluta në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Por pasi erdhi këtu Presidenti i kësaj Asambleje, pasi erdhën këtu të gjithë Kryetarët e grupeve parlamentare, pasi nga ana e mazhorancës u kërkua çdo gjë që u propozua prej tyre, dhe pasi u kundërshtua çdo gjë nga Kryetari delegacionit që u largua, pastaj i thanë Presidentit të nderuar të Asamblesë Parlamentare të KiE, që erdhi mysafiri nga një vend mik, a thua se mysafiri kishte ardhur këtu për të kaluar kohën ndërkohë që u shpërngulën përfaqësuesit më të rëndësishëm të këtij institucioni për të zgjidhur këtë moment.

Ata nuk duan zgjidhje të kësaj situate, ata nuk kanë ardhur në Parlament dhe nuk kanë bërë asnjë lëshim, por kanë ardhur në Parlament për të shpëtuar mandatet e 30 biznesmenëve që kanë në grupin e tyre parlamentar. Ata nuk do ta japin asnjëherë votën e tyre, as "për gjykatën administrative" dhe as për ndonjë gjë tjetër të rëndësishme, sepse duan të mbajnë peng Parlamentin dhe të instalojnë një precedent destabilizues, të përhershëm në këtë vend.

Por, këto janë gjëra, që nuk mund të ndodhin, ndërkohë që komisioni është gati. Shumicën le të vijnë ta marrin, Kryetarin të vijnë ta marrin! Duan të hapin kutitë? Tu drejtohen institucioneve përkatëse. Nuk mund të dalë Parlamenti mbi asnjë lloj gjykate. Dhe nuk ka asnjë vend të OSBE/ODIHR që pasi të ketë mbyllur zgjedhjet me KQZ, me Gjykatë, me raport OSBE/ODIHR, të fillojë rihapjen e votave dhe rinumërimet.

Përmendën Ruzhdien? Ruzhdija është autogol i tyre, sepse pavarësisht se PD e kërkoi këtë gjë në KQZ, e kërkoi në gjykatë, Ruzhdija u rrëzua sepse kishte parregullsitë që kishte, dhe ata që kanë bërë parregullsitë, le të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Ka raste të tjera? Le ti çojnë në Prokurori, sepse kështu funksionon Shteti i së drejtës.

(*) Fjala e mbajtur sot në Kuvend

KOMENTE