Shkodër, 25 mars, NOA - I kërkonin një doganieri në pikën e Kakavijës që të paguante një shumë prej 1500 eurosh, kundrejt mospublikimit të një materiali filmik kompromentues që pretendonin se ia kishin bërë atij, por kanë rënë në prangat e policisë.
Bëhet fjalë për dy persona, me emrat Bashkim Dushi dhe Julian Gjinaj; që të dy banues në qytetin e Shkodrës, të cilët janë arrestuar në flagrancë nga forcat e policisë.
Lajmi konfirmohet prej këtyre të fundit për agjencinë e Lajmeve NOA, duke sqaruar se Julian Gjinit i është sekuestruar edhe shuma prej 1500 eurosh, të cilat ia kishte marrë doganierit të lartpërmendur të Kakavijës.
Ndërkaq, nga ana e policisë është bërë edhe shpallja në kërkim e personit me inicialet E.D., i implikuar edhe ky në këtë çështje.
Materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale të "Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, në bashkëpunim", parashikuar nga neni 259 e 25 të Kodit Penal.
n.e/NOA