Uashington, 25 mars, NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë arritur marrëveshjen bazë lidhur me paktin për çarmatimin bërthamor, e cila pritet të nënshkruhet në Pragë më 8 prill.
Ky qytet është zgjedhur si vendi i nënshkrimit, pasi në kryeqytetin çek presidenti Obama formuloi synimin e tij për një botë pa armë bërthamore.
Bëhet fjalë për marrëveshjen e cila përbënte një pikë kyç në bisedimet mes dy vendeve dhe për të cilën ndikoi edhe vizita e fundit në Moskë e sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.
"Mendoj se jemi shumë afër arritjes së një marrëveshje mbi çarmatimin. Nuk do të ketë një marrëveshje përfundimtare derisa presidenti Obama dhe homologu i tij Medvedev të mund të diskutojnë", tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs.
n.e/NOA