English

Topi dekoron aktorët e humorit Gjosho Vasija e Gëzim Kruja

Tiranë, 25 mars, NOA - Presidenti i Bamir Topi dekoroi sot aktorët e humorit shkodran Gjosho Vasija dhe Gëzim Kruja me Urdhrin "Mjeshtër i Madh". Ceremonia u zhvillua në presidencë në praninë e personaliteteve të ndryshme të të fushës së artit e të humorit. Aktorit, Gjosho Vasisë, ju dha dekorata nga Presidenti me motivacionin: "Talentit dhe krijuesit të rrallë të skenës së humorit, që, falë personalitetit dhe karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti t'i rezistojë me fisnikëri përpjekjes së egër të diktaturës komuniste, por me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerëzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve të tij në të gjithë vendin".

Me Urdhrin "Mjeshtër i Madh", Presidenti i Republikës dekoroi sot dhe zotit Gëzim Kruja me motivacionin: "Për interpretim me nivel të lartë artistik dhe krijimtari të gjerë në fushën e artit të humorit shqiptar".

"Jam shumë i gëzuar dhe i emocionuar që gjendem sot këtu pranë Presidentit dhe të marr këtë titull të lartë nga dora e Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi. Një duartrokitje për këtë President të mrekullueshëm. Vitet kalojnë shpejt. Unë kam kaluar shtatëdhjetë vite dhe po hyj tek shtatëdhjetë e njëshi. Pesëdhjetë e dy vjet në skenë. Kam luajtur shumë role dhe është fati im që kam qenë aktor, autor dhe regjizor, kam luajtur deri në pantonimë, akrobat, xhongler, parodistë", u shpreh Kruja.

Duke përdorur shprehjen e aktorit, Tano Banushi, Kruja ka vlerësuar dhe një herë dekoratën duke thënë se "Fjalët i merr era, dokumentit i vjen era. Kjo erë është djersa ime pesëdhjetë e dy vjeçare".

m.xh/NOA

KOMENTE