Tiranë, 25 mars, NOA - Trashëgimia kulturore e vendit do të kalojë në juridiksionin e një institucioni të posaçëm për këtë çështje. Ngritja e një institucioni të tillë është deklaruar nga ministri i Turizmit dhe Kulturës Ferdinand Xhaferri gjatë një takimi me ekspertë të turizmit dhe Monumenteve të Kulturës.
"Dokumenti i cili është propozuar Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, synon në reformimin e sistemit të trashëgimisë kulturore, nëpërmjet riorganizimit të institucioneve të saj, që merren me trashëgiminë materiale, sikurse janë Instituti i Monumenteve të Kulturës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Parqet Arkeologjike, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore si dhe disa muze arkeologjikë dhe kombëtarë. Kjo është një iniciativë e Kryeministrit në shërbim të interesave të vendit", u shpreh Xhaferraj.
Deklarata e Ministrit u bë gjatë takimit të parë për zhvillimin e debatit publik në lidhje me reformimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore.
Ideja e propozuar nga kryeministrit Sali Berisha, synon bashkimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, Drejtorisë Rajonale e Kulturës Kombëtare, si dhe muzeve nën emrin "Instituti i Trashëgimisë Kombëtare".
m.xh/NOA