Tiranë, 25 Mars NOA -Ceremonia e lancimit të emrit të ri të bankës dhe zyrtarizmit të Veneto Banka në Shqipëri, pjesë e Gruppo Veneto Banca, u zhvillua sot në mjediset e "Sheraton" në Tiranë. Veneto Banka Holding, është një nga grupet bankare më të mëdhenj në Itali i përbërë nga 9 banka italiane dhe të huaja.
Në këtë ceremoni ishin ftuar dhe merrnin pjesë zyrtarë të lartë të institucioneve, biznesmenë nga Shqipëria dhe Italia, drejtues të universiteteve kryesore, ambasadorë dhe përfaqësues nga trupi diplomatik, emra të njohur të botës së artit, kulturës, etj.
Gjithashtu në ceremoni ishin të pranishëm Dritan Prifti - Ministër i Ekonomisë, Ridvan Bode - Ministër i Financave, Ardian Fullani - Guvernator i Bankës së Shqipërisë, Saba D'Elia - Ambasador i Italisë në Shqipëri, Z. Gianfranco Galan - Guvernator i Rajonit të Venetos, z. Flavio Trinca - President i Veneto Banca Holding dhe z. Libero Catalano - Drejtor i Veneto Banka Albania i cili drejtoi ceremoninë zyrtare.
Po ashtu merrnin pjesë Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, Administratori i Përgjithshëm i Konfindustria Shqiptare Gjergj Buxhuku, etj.
Ambasadori D'Elia
Në fjalën e tij, ambasadori italian D'Elia tha se "Veneto Banka Holding" është një grup nga më dinamikët në realitetin financiar italian dhe jo rastësisht e ka zgjedhur Shqipërinë si fushën e tij të re të veprimit. Kjo pasi siç tha ai, - "Italia zë vendin e parë në shkëmbimet tregtare jashtë Shqipërisë, ndërsa është njëkohësisht edhe investitori i huaj i parë strategjik në këtë vend".
Ambasadori vlerësoi se ky realitet në Shqipëri i cili paraqitet në lëvizje dhe jo rastësisht ka shënuar ritme të larta të rritjes së tij, ka tërhequr jo më kot edhe vëmendjen e Grupit Veneto, duke e shtyrë të vendoset këtu". Ai u shprehu dhe drejtuesve të Veneto Banka, sigurinë se nga "ana e Ambasadës Italiane në Shqipëri do të keni mbështetjen e duhur për zhvillimin e aktiviteteve tuaja".
Guvernatori Fullani
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani vlerësoi se Veneto Banka është një bankë dinamike dhe e konsoliduar për sa i përket bilancit të saj financiar. Ai shtoi: "Është një bankë aktive dhe e miradministruar, falë një profesionalizmi modern të drejtuesve e stafit të saj, dhe mirë-administrimi i një banke në ditët e sotme paraqitet i nevojshëm për të kontrolluar rrisqet e sistemit bankar".
Nisur nga ky fakt, Fullani vlerësoi se "dhe në kushtet e krizës ekonomike kjo paraqitet me një rëndësi të madhe dhe na bën të kuptojmë se një mirë-administrim i mirë, përbën në radhë të parë një garanci për depozituesit dhe krijon premisa për një zhvillim më të mirë ekonomik".
Më tej z.Fullani tha se Banka e Shqipërisë nga ana e saj, po punon për të siguruar një kontroll më të mirë të rrisqeve bankare dhe mbështetje të miradministrimit të bankave, duke rritur vigjilencën bankare dhe sportin ndaj bankave të nivelit të dytë.
Sipas tij, "kjo arrihet vetëm përmes një komunikimi efektiv të sistemit bankar për të gjetur sistemin e duhur të mbikëqyrjes dhe për të bërë të mundur implementimin e këtyre masave".
Ministri Prifti
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti tha se "kemi lajme të tjera të mira për Grupin Veneto Banka që ka mbërritur në Shqipëri", - duke përmendur se "grupe ekonomike që janë në ekspansion, do të donin të investonin në vendin tonë".
Prifti përmendi investitorët italianë të interesuar për hyrje në tregun energjetik në Shqipëri, por mundësi të tjera për të investuar, këtu ka edhe në sektorin minerar, në sektorin agro-ushqimor etj.
"U them atyre që investojnë në Shqipëri, që të jenë sa më novatorë dhe me investime të qëndrueshme, se është e vërtetë që sektori bankar është i zhytur në likuiditete, dhe ka mundësi për kreditim, por në fakt, ai ankohet se janë investitorët ata që nuk kanë ide.
Dhe besoj se Grupi Veneto Banka, do të jetë mbështetës me idetë dhe projektet e tij".
Nga ana tjetër z.Prifti tha se vjet, Shqipëria shënoi rritjen më të lartë ekonomike në Evropë, kurse siguroi se në vitin 2010, ajo ka për të qenë akoma edhe më e lartë, se në vitin 2009. "Këtë vit, parashikojmë që si vend, të shënojmë një rritje ekonomike në nivelet rreth 4-5 për qind", - tha Prifti.
Ministri Bode
Ministri i Financave, Ridvan Bode pohoi në fillim të fjalës së tij se pikërisht në këto momente të krizës globale financiare, ne ndodhemi që të gjithë në një ceremoni përuruese për t'i uruar mirëseardhjen një investitori të ri që hyn në sistemin tonë bankar.
Për Boden, "kjo është shprehje e besimit që investitorët e huaj kanë në tregun shqiptar dhe besimi tek Shqipëria, në ritmet e saj të larta të rritjes ekonomike, aktualisht në nivelin prej 3 për qind, por që me një projeksion mendohet të arrijë deri në 5 për qind, duke treguar kështu mjaft qëndrueshmëri".
Bode tha se "ekonomia shqiptare vijon të tërheqë vëmendjen e investitorëve të ndryshëm dhe nuk ka më të mirë se investitorët e sistemit bankar, që investojnë pikërisht aty, ku ndihen edhe më të sigurt".
Ministri pohoi se Italia, aktualisht, njihet si bashkëpunëtorja më e madhe në aspektin ekonomik e Shqipërisë, dhe kjo jo vetëm për mbi sipërmarrje italiane që operojnë në tregun shqiptar, por edhe për faktin se ajo ka afruar në vendin tonë dy banka potente të cilat operojnë aktualisht në sistemin tonë bankar.
Bode theksoi se e gëzonte fakti se "sistemit tonë bankar i shtohet Grupi Veneto Banka, i cili është një grup bankar me eksperiencë për financimin e sipërmarrjeve të vogla dhe atyre të mesme dhe ky grup vjen për të zgjedhur investimet më të mira, ku ka kryer të tilla në nivelin prej 39 % në vitin e kaluar, ndërsa këtë vit premtohet të realizojë në nivele më të larta".
Nga ana tjetër, ai vlerësoi se "prezenca e një sipërmarrjeje të re italiane, është dëshmi e një bashkëpunimi të madh mes dy vendeve tona".
Galan
Presidenti i rajonit të Venetos. Giancarlo Galan, prej 15 vjetësh në këtë detyrë, tha se "Kanë kaluar 15 vjet që kur unë u zgjodha si guvernator i Venetos dhe Shqipëria e atëhershme ishte ndryshe nga ajo që është sot" dhe shtoi: "Ajo periudhë përkonte me agimin e një ecurie ekonomike dhe sociale, e cila në fakt, nuk mund të themi se ka marrë fund, por që do të ecë akoma edhe më tej. Shqipëria tani është anëtare me të drejta të plota e NATO-s dhe çka është më e rëndësishmja, është fakti se do jeni edhe pjesë e Bashkimit Evropian".