English

Arrestohen, trafikuan 6 veta për 6 mijë euro

Gjirokastër, 26 mars, NOA - Me premtimin se do t'i çonin drejt Greqisë, tre trafikantë klandestinësh do të përfitonin 6 mijë euro nga 6 persona prej Hasit, por janë zbuluar në flagrancë nga forcat e policisë dhe janë arrestuar.

Bëhet fjalë për tre personat me emrat Leonard Muça, 22-vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë; Elis Beqiraj, 21-vjeç, lindur në Memaliaj dhe banues në Përmet dhe Arif Qerimaj, 21-vjeç, lindur dhe banues në Përmet.

Ata janë kapur në flagrancë duke udhëtuar me mjetin tip Opel me targa PR 11 87B, drejtuar nga Arif Qerimaj, i cili fshihte në brendësi të tij automjeti edhe 6 persona të tjerë, konkretisht, 4 femra, një fëmijë dhe një burrë.

Bëhet me dijeni se të arrestuarit po i transportonin këta persona në drejtim të kufirit të gjelbër në Çarshovë dhe do t'i ndihmonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit 1000 euro për person, duke u premtuar edhe udhërrëfyesin përgjatë malit për në Greqi.

Ndërkaq, mësohet se të gjashtë personat që donin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme ishin kushërinj me njëri-tjetrin, nga rrethi i Hasit.

Ata kishin disa vjet që jetonin në Greqi, por pa dokumenta dhe ishin kthyer në Shqipëri para disa ditësh për një rast vdekje e në këtë mënyrë, donin të largoheshin përsëri.

Materialet rreth kësaj ngjarje, i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme mbi veprën penale të "Dhënie Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit , kundrejt fitimit".

n.e/NOA

KOMENTE