Tiranë, 26 mars, NOA - Kompania e prodhimit të pasaportave "Aleat", ka vendosur të zgjas oraret e aplikimeve për marrjen e dokumenteve të identifikimit, si dhe vijimin e punës dhe për ditën e shtunë dhe të dielë, 27 dhe 28 Mars.
Lajmi bëhet i ditur nga ministria e Brendshme, e cila sqaron se kresa për këtë shtim të orareve është bërë nga drejtuesit e ministrisë, për të përballuar kërkesat e emigrantëve që vijnë gjatë festës së Pashkës.
"Zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike në të gjithë vendin do të shërbejnë për qytetarët gjatë ditëve të javës nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes.
Këto zyra do të jenë të hapura në shërbim të qytetarëve edhe ditën e shtunë e të dielë, 27 dhe 28 Mars, e po kështu në datat 3 dhe 4 Prill. Me të njëjtin orar do të shërbejnë edhe zyrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike pranë komisariateve dhe drejtorive të policisë në qarqe", thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.
Sipas njoftimit të ministrisë, kjo masë synojnë t'u përgjigjet në mënyrë të veçantë interesimit të pritshëm për të aplikuar dhe për të tërhequr pasaportat biometrike të qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit, të cilët mund të vijnë në Shqipëri për festën e Pashkëve.
"Duke ju bërë me dije se në zyrat e shpërndarjes gjenden rreth 80 mijë pasaporta të patërhequra, Ministria e Brendshme fton qytetarët që kanë aplikuar të paraqiten sa më parë për të tërhequr pasaportat e tyre biometrike", thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.
m.xh/NOA