English

Fituesi i panairit të Lajpcigut: Shqiptarët, paqësorë e të civilizuar

Lajpcig, 26 mars, NOA - Me adhurim për ish-liderin kosovar Ibrahim Rugovën dhe popullin shqiptar shprehet fituesi i sivjetshëm i çmimit të panairit të librit në Lajpcig, Gya¶rgy Dalos.

Në librin e tij të fundit me titull "Sipari ngrihet" shkrimtari hungarez Gya¶rgy Dalos përshkruan rrëzimin e diktaturave të lindjes nga fundi i viteve 80-të. Për të nuk kishte qenë surprizë.

"E kisha pritur transformimin. Isha në opozitën demokratike të Hungarisë dhe ne kemi filluar pak a shumë që nga fundi i viteve 70-të që ta kritikonim sistemin, prandaj për mua nuk ishte ndonjë befasi e madhe", thotë ai në një intervistë ekskluzive për programin shqip të Deutsche Velles.

"Atmosfera e transformimit më e bukur se sot"

György Dalos është lindur në Budapest, në vitin 1943, dhe rrjedh nga një familje hebraike. I ati vdes në vitin 1945 si pasojë e vuajtjeve në një kamp me punë të detyruar. Dalos i ri, ashtu si shumica e intelektualëve lindorë, përqafon në fillim idetë marksiste, shkon në Moskë, ku studion historinë gjermane, dhe bëhet anëtar i partisë punëtore socialiste të Hungarisë. Por pas katër vitesh ai dëbohet prej saj dhe i ndalohet veprimtaria e lirë. Të ardhurat për jetesën në kohën e mëpasshme ai do t'i nxirrte nga përkthimet nga rusishtja derisa gradualisht me liberalizimin e bllokut lindor edhe ai filloi të rehabilitohej dhe me bursa të ndryshme studimi doli në perëndim, ku edhe gjendej në fund të viteve 80-të, ku po tronditeshin themelet e komunizmit lindor.

"Asokohe unë jetoja në Vjenë dhe ndiqja se si demokracia në Hungari rritej nga dita në ditë. Ishte një atmosferë shumë e bukur, shumë miqësore, çka për fat të keq nuk ekziston më sot", thotë ai.

Ibrahim Rugova ishte një evropian i madh

Në Vjenën e viteve 80-të Dalos ka rastin të takojë edhe ish-liderin kosovar, Ibrahim Rugovën: "Një evropian i madh, një mendimtar i madh dhe një njeri shumë i mirë dhe i ndershëm. Kjo tingëllon e panatyrshme, sepse për një politikan nuk flitet kështu, por ai ashtu ishte".

Fakti që rrëzimi i komunizmit në Jugosllavi ishte aq i dhunshëm, megjithëse Jugosllavia ishte nga vendet më liberale, historiani dhe analisti, Dalos e shpjegon me përbërjen shumëkombëshe të saj. Si kundër-shembull ai jep Shqipërinë, të cilën vetëm dy vjet më parë e pat vizituar si turist: "U mahnita nga atmosfera e gëzuar dhe e këndshme që sundonte aty", thotë ai. "Shqipëria e ka pasur më vështirë nga të gjitha vendet e tjera. Ka qenë shumë më e izoluar, terrori ka qenë shumë më i madh, dhe duke pasur parasysh këto, habitesh tek sheh se sa i civilizuar dhe paqësor është treguar ky popull."

Më shuma sfida për krijimtarinë

Dalos jeton sot në Berlin, prej nga përpunon në mënyrë letrare transformimet politike në vendet ish-komuniste. Demokracia është një sfidë e re, sidomos për krijimtarinë, bilancon ai: "Për letrarët demokrcia ka sjellë një përfitim, heqjen e cenzurës. Në anën tjetër, së bashku me të, mori fund edhe përkujdesja e centralizuar e shtetit për kulturën dhe kjo i ka sjellë letrarët në gjendje të vështirë materiale dhe përbën një sfidë të madhe për ta. Ka edhe një sfidë tjetër: Në kohën e diktaturës fjala e letrarëve kishte një kuptim më të madh se sot, sot ne kemi partitë, mediumet, që nuk thonë medoemos të vërtetën, por që kanë në dorë një lloj monopoli ndaj informacionit, e me të cilët nuk konkurrojnë dot shkrimtarët, që e kalojnë kohën ulur tek kompjuteri."

Këtij trendi mundohet t'i kundërvihet Dalos prej vitesh: Si publicist, botues, dhe si ndërmjetësues kulturash. Falë edhe angazhimit të palodhshëm të tij shkrimtarë të vendit të vet, si Imre Kertesz, Peter Nadas, György Konrad dhe Peter Esterhazy njihen dhe respektohen nga publiku gjerman, falë angazhimit të tij, Hungaria ishte në fokusin special të panairit të librit në Frankfurt në vitin 1999. Kjo ishte arsyeja se përse panairi i librit në Lajpcig këtë vit e nderoi atë me çmimin e mirëkputimit. Nuk janë vetëm 45.000 Eurot, për të cilat gëzohet 68-vjeçari: "Ca para i marr, kjo është diçka e mirë dhe shumë e rëndësishme për një shkrimtar që jeton vetëm nga ajo çka shkruan. Por në të njëjtën kohë, është edhe një mirënjohje morale shumë e madhe për veprimtarinë time, sepse jam përpjekur për vite me radhë për ndërmjetësimin e kulturave", përfundon ai në intervistën ekskluzive për programin shqip të Deutsche Velles.

DVelle

KOMENTE