Athinë, 26 mars, NOA - Marrëveshja e ndihmës që iu premtua Greqisë pas samitit të shteteve të Eurozonës, duket se i ka pëlqyer së tepërmi kësaj të fundit.
Një fakt të tillë e ka pohuar vetë kryeministri grek, Jorgo Papandreu, sipas të cilit më në fund u vlerësuan përpjekjet dhe sakrificat e popullit grek për të kaluar këtë kohë të vështirë.
"Jam shumë i kënaqur që më në fund u vlerësuan përpjekjet dhe sakrificat e popullit grek për të kaluar këtë kohë të vështirë krizë ekonomike dhe periudhe destabiliteti. Kjo marrëveshje është një zgjidhje jo vetëm për Greqinë por për të gjithë tregun europian", - u shpreh i kënaqur kryeministri grek.
Sipas tij, Europa pati vendosmërinë që të tregohej e përgjegjshme në veprimet e saj. "Greqia së bashku me vendet e tjera të Eurozonës ka treguar dhe po tregon maturi në përballimin e kësaj krize së cilës shumë shpejt do t'i vijë fundi", tha me besim Papandreu.
Marrëveshja e arritur dje në Bruksel, parashikon asistencë të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Greqinë si edhe dhënia e kredive me norma të ulëta interesi për Greqinë.
n.e/NOA