Korçë, 26 mars, NOA - Kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin plot 6 vjedhje, por janë zbuluar nga forcat e policisë dhe më pas janë arrestuar.
Bëhet fjalë për dy të rinj, përkatësisht Skerdi Lamçe, 21-vjeç dhe Sadri Maliqllari, 25-vjeç, i dënuar edhe më parë për veprën penale të "Vjedhjes", që të dy banues në fshatin Sheqeras të Korçës, të cilët rezultojnë të jenë autorët e një sërë vjedhjesh.
Konkretisht, forcat e policisë së Korçës pohojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar 2 vjedhje të ndodhura në dyqanet e fshatit Pojan dhe atij Libonik të Korçës.
Por ata kanë vjedhur me thyerje edhe dyqanin në pronësi të L.Pashollari, në fshatin Symize të Korçës, ku kanë marrë mallra me vlerë 5000 lekë; atë të pronarit X.Gongo, në fshatin Sovjan ku kanë marrë mallra me vlerë 7000 lekë; një dyqan tjetër në pronësi të R.Sulollarit edhe ky nga fshati Sovjan, ku kanë marrë mallra me vlerë 10000 lekë dhe në fund një dyqan tjetër po në këtë fshat.
Këta persona u ndaluan për veprën penale të "Vjedhjes në bashkëpunim", sipas nenit 34/2 të Kodit Penal.
n.e/NOA