Tiranë, 26 mars, NOA - Partia Demokratike i ka kërkuar sot kryetarit të Partisë Socialiste, që të lejojë deputetët të bëhen pjesë e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli u shpreh se kreu i PS-së duhet ti jap fund, "turizmit parlamentar".
"Partia Demokratike i kërkon zotit Rama ti jap fund "turizmit parlamentar" dhe të marrë rolin e tij në Parlament dhe në Komisionin Hetimor", tha Mëhilli.
Ajo ka theksuar se për interesa personale, kreu i PS-së po dëmton imazhin e vendit. "Edvin Kristaq Kriza apo Kryetar 2 K, që është i vetmi i quajtur socialist në Evropë që për interesa të karrierës personale dhe të klanit që e mbron, përhap trillime e mashtrime çdo ditë për të dëmtuar imazhin e vendit", u shpreh Mëhilli.
Zëdhënësja e PD-së, vlerësoi se sjellja e bojkotit dhe lëvizjet anti-instititcionale të lidershipit të PS-së, nuk kërkojnë hetimin e zgjedhjeve, por ndëshkimin e qytetarëve që nuk i dhanë votën në zgjedhjet e fundit parlamentare.
"Qartësojmë shqiptarët se z.Rama nuk kërkon transparencën e zgjedhjeve por kërkon me çdo kusht që dramën e tij personale, trashëgiminë e tij ideologjike t'ja u kthej në ndëshkim shqiptarëve si një hakmarrje primitive për disfatën që ata i rezervuan më 28 Qershor", përfundoi deklaratën e saj Mëhilli.
m.xh/NOA