Me këtë privatizim, Kosova po bëhet sikur ai peshku te romani Plaku dhe Deti i Hemingway-it: një peshk i madh por që nuk do ta sjellësh dot në breg. Peshkaqenët e shumtë rreth e rrotull vetëm skeletin kanë për t'ia lënë. Tepër gjatë ka hequr e është munduar populli ynë porsi plaku i Hemingway-it. Nuk duhet ta pranojmë epilogun e njëjtë, nuk duhet të lejojmë që gjithçka të përfundojë te peshkaqenët
Nga Albin Kurti
PTK-ja është sikur ajo pula që bën vezë të arta. Por, pronari i saj, Qeveria e Kosovës, ka vendosur që ta shesë pulën. Nuk është dakord që t'i shesë eventualisht vetëm vezët e arta. Kush përfiton nga kjo shitje? Qeveritarët gjithsesi, Kosova kurrsesi. Gjysmë miliard euro të fondit të privatizimit vazhdojnë të mbesin jashtë vendit. BQK-ja si klient i bankave jashtë vendit ku këto para janë, nuk do që t'i kthejë ato mjete në Kosovë. Shefi i ICO-së, Pieter Feith, pat deklaruar që ky fond duhet të mbetet jashtë vendit për shkaqe të sigurisë. Ndërkohë, pikërisht vendet perëndimore ku ndodhen paratë e Kosovës i kishte kapluar kriza financiare globale, ndërsa bankat e huaja në Kosovë vazhdojnë të kenë vetëm 4% kredi të këqija. Pse ky privatizim na qenka i domosdoshëm? Pse duhet shitur ndërmarrjet publike ose shoqërore? Pse edhe atëherë kur ato janë fitimprurëse e të suksesshme? Pse po e zhdukin të përbashkëtën e qytetarëve? Pse ky sulm mbi publikun dhe shoqërinë, mbi pasuritë publike e shoqërore? Pse bëhet privatizimi para dekolonizimit (gjë që i mundëson Serbisë hise në Kosovë)? Pse Kuvendi i Kosovës nuk e miraton ligjin për dekolonizim para çfarëdo privatizimi? Pse duhet vazhduar me privatizimin përkundër mbetjes së mjeteve të deritanishme të privatizimit jashtë vendit? Pse pa i futur ato në zhvillim njëherë? Pse duhet privatizuar pasuria pa e pasur njëherë planin zhvillimor afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë? Pse duhet privatizuar pa e regjistruar njëherë tërë pasurinë tonë tokësore e nëntokësore, pa e ditur paraprakisht se sa të pasur jemi saktësisht? Pse duhet privatizuar përderisa nuk jemi sovranë, dhe në mungesë të integritetit territorial? Pse nuk ka kurrfarë debatesh për këto privatizime? Pse nuk parashihet referendumi gjithëpopullor për pasuritë kapitale? Pse Kosova si vendi më i varfër në Evropë duhet privatizuar resurset e saj, në kohën kur vendi më i pasur në botë, ShBA-ja, e merr nën kontroll industrinë e vet? Këto pyetje, dhe shumë të tjera, nuk kanë përgjigje për shkak se, para së gjithash, janë pyetje të ndaluara. Pse, kur, qysh dhe çka të privatizohet nuk lejohet të diskutohet në Kosovë. Sepse, gjithçka duan ta privatizojnë sa më shpejtë, dhe për pasojë, sa më lirë. Për çështjet madhore ekonomike, në Kosovë lejohen diskutime e polemika pas marrjes së vendimeve kryesore, jo para tyre. Dhe mandej këto lloj debate shërbejnë zakonisht si legjitimim posteriori i vendimeve të marra e jo kontribut në cilësinë e vendimeve që duhet të merren. Prandaj nuk është e rastësishme që i gjithë problematizimi i privatizimit konsiston në (mos)transparencën e tij. Vetëm kaq lejohet dhe vetëm kaq ka kuptim në një situatë kur vendimet tashmë janë punë e kryer. Jo vetëm që i shesin ndërmarrjet e Kosovës, por duan ta shesin edhe lajmin për këtë si një çështje të mirë për Kosovën. Gabimisht dhe me keqdashje privatizimi konsiderohet si e vërteta e dëshmuar e organizimit dhe planifikimit të ekonomisë. Gabimisht dhe me keqdashje zhvillimi ekonomik në Kosovë është paraqitur si zhvillim i privatizimit. Hajnitë e politikanëve janë suplement dhe produkt i privatizimit. Nëse është e lejueshme që pasuria e Kosovës t'i jepet për pak para një njeriu privat, nëse ajo që është e të gjithëve bën që të bëhet e ndonjërit, atëherë politikanët kollaj kalojnë në anën e këtij ‘ndonjëri' privat. Popullsia e varfëruar dhe disa klane të pasuruara janë dy anët e së njëjtës monedhë të transicionit që e shënon privatizimi. Lufta na e shkatërroi pasurinë kurse privatizimi po e tret atë që na mbeti. Privatizimi është luftë kundër shoqërisë me mjetet tjera. Midis popullsisë së varfëruar dhe gjithnjë e më të varfër dhe disa privatistëve të pasuruar dhe gjithnjë e më të pasur, politikanët me lehtësi dhe shpejtësi përfundojnë te grupi i dytë meqenëse politikisht dhe juridikisht ata janë bërë facilitatorët e këtij procesi që varfëron shumicën dhe pasuron pakicën. Privatizimi i këtillë është plaçkitje e pastër e asaj që trashëguam nga brezat paraardhës dhe asaj që do të duhej t'ua lëmë trashëgim brezave pasardhës. Përgjegjësia e Qeverisë për këtë shpronësim final të shoqërisë nuk është vetëm aktuale por edhe historike - ajo e tejkalon gjeneratën tonë. Kjo që kemi nuk e krijuam vetëm ne dhe nuk na takon vetëm neve. Ne jemi ardhmëria e brezit që shkoi pikërisht duke iu falënderuar atij brezi. Është në dorën tonë që t'ia mundësojmë ose pamundësojmë ardhmërinë brezit që do të vie. Zërat që thonë se duhet t'i shesim ndërmarrjet meqë ne nuk kemi kapacitete menaxhuese dhe kuadro të afta, janë shprehje e racizmit ndaj neve vendësve. Niveli i pakënaqshëm arsimor i shqiptarëve nuk është pasojë e karakterit të shqiptarëve, por e sistemit të shkollimit. Shqiptarët që janë në diasporë nuk janë më të dobët në mësime se bashkëmoshatarët e tyre perëndimorë. Fundja, nëse na mungon ndonjë ekspert, atëherë e marrim në punë dikë nga jashtë, por s'kemi pse i shesim pasuritë. Ose, le t'i dërgojmë njerëzit në shkollim a trajnim jashtë vendit për hir të profesionalizmit dhe ekspertizës, por le të mos i shesim ndërmarrjet tona. Industria e pakët e mbetur është industri ekstraktuese e jo përpunuese, madje në përmasa shumë më të këqija sesa në kohën e ish Jugosllavisë kur në Kosovë protestohej me parullën "Trepça punon, Beogradi ndërton". Feronikeli sot është gjithsesi shembull i eksploatimit neokolonial: është shitur fare lirë, i jepet energji elektrike pa kufizim nën çmimin e importit, e bile edhe nën atë të prodhimit, ndërkohë që Kosova importon mallra të prodhuar nga lënda e parë e nxjerrur në Kosovë. Me këtë privatizim, Kosova po bëhet sikur ai peshku te romani Plaku dhe Deti i Hemingway-it: një peshk i madh por që nuk do ta sjellësh dot në breg. Peshkaqenët e shumtë rreth e rrotull vetëm skeletin kanë për t'ia lënë. Tepër gjatë ka hequr e është munduar populli ynë porsi plaku i Hemingway-it. Nuk duhet ta pranojmë epilogun e njëjtë, nuk duhet të lejojmë që gjithçka të përfundojë te peshkaqenët. EULEX-i sigurisht që nuk e kishte asnjëherë ndërmend që ta kap kurrfarë ‘peshku të madh' prej politikani të rëndësishëm e të korruptuar. Ka diçka prej qeni e jo peshku te ata politikanë. Peshku i madh është vetë Kosova.