English

QSUT, ekipi shqiptaro-italian kryen 13 operacione të vështira në zemër

Tiranë, 26 mars, NOA - Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" dhe Shoqata "The Heart of Children" Onlus, me qendër në Itali kanë rifirmosur marrëveshjen me qëllimin e realizimit të shërbimeve kardio-kirurgjikale tek fëmijët e lindur me probleme në zemër.

Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi ka zhvilluar një takim me mjekët italianë të cilët kanë kryer rreth 13 operacione të vështira së bashku me mjekët e QSUT-së.

"Ky është një nga bashkëpunimet më të rëndësishme për ne, pasi operacionet kanë pasur patologji të veçanta. Pacientët e vegjël, tashmë nuk është nevoja të shkojnë më jashtë vendit por kurimi i tyre të bëhet në spitalin tonë. Kjo është edhe një përvojë shumë e mirë për mjekët tanë të cilët tashmë mund të vazhdojnë vetë rrugën e nisur" ka theksuar drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi duke shprehur këtu edhe dëshirën e madhe për vazhdimin e këtij bashkëpunimi.

Ndërkohë, mjekët italianë janë treguar të gatshëm për t'u rikthyer sërish në Shqipëri, për të tjera ndërhyrje dhe ekzaminime të rëndësishme.

"Ne do të rikthehemi përsëri, për të kryer të tjera ndërhyrje, por edhe për të parë gjendjen shëndetësore të pacientëve të operuar. Është një bashkëpunim i cili shpresojmë që të zgjasë, për të ndihmuar fëmijët që lindin me probleme dhe keqformime të zemrës" ka pohuar dr. Vittorio Vanini, Presidenti i Shoqatës, Shoqata "The Heart of Children" Onlus.

Gjatë javës së kaluar mjekët shqiptarë, kardiokirurgu dr.Arben Baboçi, dr, Numila Kuneshka, dr. Shqipe Saraçi dhe dr.Anila Godo dhe ata italianë dr. Vittorio Vanini së bashku me bashkëpunëtorët dr. Italo Borini dhe Giuseppe Ghislandi kanë zhvilluar 13 operacione të vështira.

Sipas mjekëve, ndërhyrjet e bëra kanë pasur të bënin me patologji të cilat nuk ndeshen shpesh. Konkretisht kanë qenë sëmundje të lindura të zemrës të cilat kanë të bëjnë me keqformime të valvulave, enëve të gjakut etj.

"Ky bashkëpunim periodik ka për qëllim të rrisë përgatitjen profesionale të ekipit shqiptar, për ndërhyrjet kirurgjikale dhe asistenca e mjekëve italianë të jetë vetëm për rastet e rralla me specifikën që ata kanë" ka pohuar kardio-kirurgu, Arben Baboçi.

Fëmijët e operuar gjatë këtyre ditëve kanë qenë të gjithë nën një vjeç dhe me patologji të vështira, kryesisht të lindura.

b.a/NOA

KOMENTE