English

Stavridis: Mbështetje Kosovës dhe FSK-së

Prishtinë, 26 mars, NOA - Aleanca e Atlantikut të Veriut i jep mbështetje të plotë Kosovës dhe Forcës së saj të Sigurisë.

Kështu ka deklaruar në Prishtinë, komandanti suprem i Forcave të Përbashkëta për Evropë, admirali Xhejms Stavridis, i cili i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, ka zhvilluar takime të ndara me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës.

"Kjo është hera e katërt që po vizitoj Kosovën dhe çdo herë shoh më tepër përparime", ka thënë Stavridis, para largimit, në Aeroportin e Prishtinës.

Ndërkaq, lidhur me disa mosmarrëveshje ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it, të cilat patën nxitur fillimisht reagimin e KFOR-it me ngrirje të raporteve, Stavridis ka thënë se ajo tashmë i takon së kaluarës.

"Siç u kam thënë gjatë bisedës edhe presidentit dhe kryeministrit, ne po bisedojmë për të ardhmen dhe bashkëpunimin e plotë me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë", ka deklaruar zyrtari i lartë ushtarak mbi një fakt të tillë.

Por edhe komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Markus Bentler, ka thënë se mosmarrëveshjet i takojnë së kaluarës dhe tani KFOR-i synon që brenda 3 vjetësh ta ngritë këtë Forcë në kapacitete të plota vepruese. n.e/NOA

KOMENTE