Tiranë, 27 mars, NOA - Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste mblidhet sot për të shqyrtuar dhe zyrtarizuar hapat e mëtejshëm të aksionit opozitar të kësaj force politike.
Kështu, socialistët vendosin sot gjatë kësaj mbledhje të rëndësishme se çfarë qëndrimi do të mbajnë më tej lidhur me Kuvendin, si edhe mundësinë e rinisjes së valës së protestave në të gjithë vendin.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste kanë pohuar paraprakisht se ata janë pro futjes në jetën normale të parlamentit.
Kurse mbështetësit e kryesocialistit Edi Rama janë për vendosjen e një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, duke marrë pjesë në seancat plenare vetëm për të shprehur qëndrimin e tyre për transparencën e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të 28 qershorit. Paralelisht me këtë, Partia Socialiste kërkon që të vijojë edhe protestat në rrugë.
Nga ana tjetër, ka edhe disa socialistë që e mohojnë kategorikisht hyrjen në parlament dhe janë vetëm për zhvillimin e protestave në rrugë.
Ndërkaq, bëhet me dijeni paraprakisht se është menduar që rreth datës 20 prill, të zhvillohet një protestë e madhe në Tiranë.
n.e/NOA