Tiranë, 27 mars NOA - Ambasadori i Greqisë, Nikolaos Pazios, ka kërkuar falje në mënyrë zyrtare për skandalin e ushtrisë greke me sloganet anti-shqiptare dhe ka garantuar ndëshkimin e autorëve.
Në një bisedë telefonike që ka zhvilluar paraditen e sotme me zëvendëskryeministrin dhe ministrit e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, diplomati grek ka shprehur vendosmërinë e qeverisë së vendit të tij për të dënuar aktin.
"Ambasadori i Republikës së Greqisë z.Nikolaos Pazios, i ka konfirmuar z.Meta vendosmërinë e qeverisë greke për të dënuar skandalin dhe ndëshkimin e ashpër të autorëve. Ambasadori Pazios i ka shprehur z.Meta ndjesën e qeverisë greke për çka ka ndodhur dhe e ka siguruar se autoritetet kompetente greke do ti shkojnë hetimit të këtij incidenti deri në fund, duke ndëshkuar edhe autorët e tij", thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme shqiptare në lidhje me bisedën telefonike mes dy diplomatëve.
Gjithashtu njoftimi sqaron se, qëndrimi i qeverisë greke ka ardhur pas reagimit të Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta në lidhje me incidentin e disa prej anëtarëve të forcave të armatosura greke të cilët kanë hedhur slogane fyese, ekstremiste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinj.
Ministri i Jashtëm, Meta pasi ka vlerësuar reagimin e menjëhershëm e të vendosur të qeverisë greke, ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë do të vazhdojnë të përparojnë dhe të forcohen më tej.
m.xh/NOA