English

Ambasadori ynë në Greqi: Skandali i ushtarëve, rast i paprecedent

Athinë, 27 mars, NOA - Një akt i turpshëm, skandaloz dhe i paprecedent. Kështu i ka cilësuar ambasadori ynë në Athinë, Vili Minarolli, thirrjet raciste të ushtarëve grekë ndaj shqiptarëve gjatë një parade ushtarake në sytë e autoriteteve të larta greke.

Ndërkaq, përfaqësuesi zyrtar shqiptar në Greqi, ka pohuar se pas këtij akti të rëndë, priten masa të menjëhershme nga ana e qeverisë greke.

"Reagimi i qeverisë dhe mediave greke ishte i menjëhershëm. Unë kontaktova me ministrinë e Jashtme dhe na thanë se do merren të gjitha masat për të analizuar çështjen", sqaroi Minarolli, lidhur me incidentin e rëndë që tronditi publikun shqiptar.

Sipas tij, besohet se masat prej palës greke do të merren shumë shpejt dhe ka sqaruar se pala greke e ka dënuar këtë akt, duke dashur të distancohet prej tij.

Skandali i ndodhur në paradën ushtarake të Greqisë, ku janë kënduar vargjet "Shqiptarët derra, do t'u derdhim gjakun", ishte një lajm krejtësisht ekskluziv i agjencisë së Lajmeve NOA, botuar dje në orët e pasdites, i cili gjeti pasqyrim të gjerë në mediat shqiptare.

Ai tregonte sesi ushtarakët parakalonin duke pohuar fjalë rrënqethëse si "Shqiptarët janë derra, do t'u derdhim gjakun".

n.e/NOA

KOMENTE