Tiranë, 27 Mars NOA - Bashkia e Tiranës ka nisur para disa minutash rrethimin e sheshit "Skënderbej" për nisjen e punimeve për rikonstruksionin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor në kryeqytet.
Valbona Zhupa nga zyra e shtypit të Bashkisë së Tiranës, i tha sonte agjencisë së lajmeve NOA se ka nisur rrethimit i sheshit nga inspektorati i bashkisë, me qëllim hapjen e rrugës për nisjen e punimeve që do të plotësojnë planin për dhënien fund të gjendjes në këtë shesh.
Me ngritjen e kantierit të ndërtimit, pritet që brenda ditës së nesërme të nisin punimet për rindërtimin e sheshit, konform planit të miratuar nga kryebashkiaku Rama.
Pak ditë më parë qeveria vendosi që të nisë ajo punimet për rindërtimin e sheshit duke e filluar me asfaltimin madje dje disa piketa u vendosën për bërje matjesh nga ministritë e përcaktuara nga urdhri i kryeministrit Sali Berisha.Nuk dihet nëse këto zhvillime do të sjellin ndonjë përplasje të re ose "Zog të Zi" sërish në Tiranë, por deri tani duket se Bashkia e Tiranës po e sfidon qeverinë duke kryer gjatë natës, punën për nisjen e rindërtimit të sheshit "Skënderbej".
e.r/NOA