English

Ernesto Garcia vjen në Tiranë

Tiranë, 27 mars, NOA /Milena Selimi - Nuk është se Ernesto Garcia është në moshë të thyer, por fama e tij e ka kaluar prej kohësh moshën e tij.

Carlos Ernesto Garcia do i vijë shpejt publikut shqiptar me vëllimin poetik "Unë nuk kam shtëpi" dhe mbi të gjitha do të jetë vetë në takime në Shqipëri me lexues në Pogradec, Elbasan, Shkodër, Durrës e Tiranë, ku edhe do të përfundojë vizitën e tij.

"Unë nuk kam shtëpi" është sjellë për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese "Dita 2000" dhe është një përmbledhje të poezive të tij të përzgjedhura tri vëllimet "Derisa kolera të kalbet" (Barcelonë, 1994), "Një pikënisje për dashurinë" (Barcelonë, 1996) dhe "Valixhja në papafingo" (Jaen, 2009). Ai është i datëlindjes 1960 në Santa Tecla në El-Salvador dhe që prej vitit 1980 punon dhe jeton në Barcelonë të Spanjës.

Por, autori s'është ndalur vetëm te poezia.

Ai ka botuar një libër me novela, të titulluar "Ëndrra e dragoit", ku ka rrëfyer udhëtimin e tij përgjatë lumit Jance, në Kinë.

Kurse me librin e tij, "Nën hijen e Sandinos", bazuar në intervistat e marra nga ish-komandantët e Frontit të Sandinëve për çlirimin kombëtar të Nikaraguas, është duke u realizuar një film dokumentar, i cili do të shfaqet këtë vit.

Vepra poetike e Garcias është përkthyer në gjuhe të ndryshme, si angleze, kineze, arabe, italiane, holandeze.

Në një koment të bërë prej kritikes dhe pedagoges së Letërsisë në Universitetin e Granadës, Ana Gallega Cuinas, thuhet: "Carlos Ernesto Garcia shkruan për të kujtuar, për të fiksuar (si një imazh, si një fotografi) një ndjesi, në një mënyrë të atillë që arrin të transformojë poezinë e çasteve të eksperiencës, në çaste të absolutes.

Vazhdimësia e poetikës të këtij poeti, bëjnë thirrje me transparencën e formës, ashpërsisë gjuhësore, shkurtësinë, densitetin e gjuhës dhe paralelizmin si për të thënë amen dhe fiksimin me saktësi të imazhit që do të shkëpusë".

m.s/n.e/NOA

KOMENTE