Manastir, 27 mars, NOA - Një skandal i jashtëzakonshëm ka përfshirë spitalin e Manastirit, konkretisht mjediset e maternitetit, ndërsa mjekët po kryenin procesin e lindjes së një gruaje shtatzëne.
Gjithçka ka qenë trishtuese për mjekët, kur në një moment kanë ikur dritat në spital, për shkak të një defekti në rrjetin e energjisë që kishte përfshirë rajonin më të gjerë të Manastirit.
Por mjeku gjinekolog, Goce Çakarovski, ka shpjeguar se ai për një moment ka arritur që të ndezë telefonin celular dhe se një gjë të tillë ka urdhëruar të bëjë edhe stafi asistues dhe me dritën e siguruar prej tij është arritur që gruaja shtatzënë të lindë me sukses.
"Do të ishte vështirë në rast se do të duhet të bëhej ndërhyrje me operim për pacienten, por ia dolëm me sukses të madh", ka theksuar mjeku Çakarovski, i cili ka theksuar se foshnja ka lindur në kushte shumë të mira dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
Lidhur me këtë rast, është kërkuar përgjegjësi nga drejtoria e spitalit, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar hetime për mosfunksionimin e gjeneratorëve në kushte emergjente dhe pa energji elektrike.
NOA-INA