Shkup, 27 mars, NOA - Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshovski, tregon se modeli i Maqedonisë mund të jetë shembull i mirë edhe për komunitetet në Kosovë, Serbi e Bosnjë e Hercegovinë.
"Sa i përket simboleve, në Ballkan për fat të keq, simbolet gjithmonë do të luajnë rol më të madh se sa kanë në të vërtetë", thotë ai gjatë një interviste për DVelle.
Z. Miloshovski, kohët e fundit në Maqedoni është ndezur debati për monumentet dhe objektet historike. Cili është qëndrimi juaj ndaj monumenteve historike shqiptare në Maqedoni?
- Maqedonia është shembull për bashkëjetesën në të gjithë rajonin. Vlerësoj se ekzistojnë disa fakte të cilat e ndihmojnë këtë rrethanë. E para, që nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë e deri më sot asnjëherë nuk ka ndodhur të ketë qeveri në Maqedoni, në të cilën nuk kanë qenë të inkuadruar në shumë poste të rëndësishme përfaqësuesit e entitetit shqiptar - në drejtësi, arsim, vetëqeverisje lokale apo ministrinë për mirëqenie publike. Shqiptarët në Maqedoni janë pjesë e sistemit ekonomik, arsimor dhe shoqëror.
Ky është modeli maqedonas, i cili do të vazhdojë të ndërtohet. Vlerësoj se modeli i Maqedonisë mund të jetë shembull i mirë jo vetëm për ne, por edhe për komunitetet në Kosovë, Serbi e Bosnjë e Hercegovinë. Sa i përket simboleve, në Ballkan për fat të keq, simbolet gjithmonë do të luajnë rol më të madh se sa kanë në të vërtetë. Por, për shqiptarët dhe maqedonasit në Republikën e Maqedonisë një simbol është shumë i rëndësishëm - ai i nënë Terezës.
Maqedonia është një shtet, i cili tregoi respekt të madh e unik ndaj këtij personaliteti me famë botërore, e lindur para një qind vitesh në Shkup, duke ndërtuar shtëpinë memoriale të saj në qendër të qytetit të Shkupit. Do të vazhdojmë edhe më tej të punojmë me këtë frymë dhe pres të kemi mirëkuptim të përbashkët.
Ju para pak kohësh vizituat Kosovën. Cili është vlerësimi i juaj për marrëdhëniet Maqedoni-Kosovë?
- Marrëdhëniet me Kosovën janë shumë të mira. Me të vërtetë ishte një vizitë e shkëlqyeshme në të cilën, porositë kryesore nga Maqedonia ishin të qarta: Kosovën e shohim si një partnere të fuqishme. Maqedonia dhe Kosova kanë një perspektivë të përbashkët politike jo vetëm për dialog, por edhe perspektivë ekonomike dhe energjetike për bashkëpunim bilateral.
Maqedonia si shtet, ka një pozicion të qartë: respektimin e integritetit territorial dhe tërësisë së Kosovës, e cila është pjesë e stabilitetit të rajonit. Unë vlerësoj se edhe fqinjët, por edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ndihmojë në këtë drejtim.
Në konferencën rajonale e cila u mbajt në Bërdo të Sllovenisë, Serbia nuk mori pjesë. Sipas jush, si mund të zgjidhet problemi për pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë në këto takime ndërkombëtare?
- Këtë përvojë të hidhur e kemi përjetuar ne si Republikë e Maqedonisë në kohën e pavarësisë, gjatë viteve 1991-1992, kur Greqia refuzonte të merrte pjesë në takimet ku ishim prezent edhe ne. Por, problemi u tejkalua me pranimin e Republikës së Maqedonisë nga të gjitha anëtaret e BE-së.
Mendoj se kur edhe vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën të ndërtojnë qëndrimin e tyre, atëherë kjo do të ndihmojë mjaft që mosmarrëveshje të tilla të tejkalohen. Presim që kjo të ndodhë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë në Hagë.
Të shohim se çfarë do të ndodhë por, pavarësisht procesit në Hagë pozicioni i Republikës së Maqedonisë për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me fqinjin e saj më të ri, Republikën e Kosovës, është i pakthyeshëm. Kjo do t'i pasurojë marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës.
Momentalisht për Maqedoninë, çështje me shumë rëndësi është zgjidhja e mosmarrëveshjes mbi emrin me Greqinë. Si do ta zgjidhni këtë problem, a jeni të gatshëm edhe për ndonjë kompromis?
- Ne deri më tash kemi bërë më shumë kompromise. Republika e Maqedonisë do të vazhdojë dialogun. Në këtë moment gjatë dialogut do të ketë më shumë shtrëngime duarsh dhe buzëqeshje por, për fat të keq, nuk do të ketë ndonjë ndryshim thelbësor në qëndrimin e Athinës lidhur me këtë problem. Për fat të keq Greqia, po parashtron shumë kërkesa jo evropiane dhe për të njëjtat, po bllokon integrimin tonë në Evropë. Është joevropiane dhe e pakuptimtë për kohën e shekullit 21, nëse një populli i ndalohet apo i mohohet e drejta që të deklarohet ashtu si e ndjen veten, ose t'i mohohet gjuha. Rishikimi i këtyre pozicioneve prej Greqisë, do të sillte një atmosferë më të volitshme për gjendjen e zgjidhjes.
Problemi është se Maqedonia duhet të gjejë zgjidhje, në të kundërtën rruga drejt Evropës do të bllokohet. Ç'ka më tej?
- Republika e Maqedonisë rikujton se në shtator të vitit 1995, Maqedonia dhe Greqia lidhën marrëveshje të përkohshme, e cila ishte nënshkruar nga OKB-ja, Athina dhe Shkupi. Në bazë të kësaj marrëveshje, Greqia u obligua që të mos e pengojë Maqedoninë në etablimin e saj në rrafshin ndërkombëtar.
Për fat të keq, Greqia e shkeli këtë marrëveshje në samitin e NATO-s, në Bukuresht. Për këtë, Maqedonia ka ngritur aktpadi para Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë në Hagë, vendimi i së cilës pritet vitin e ardhshëm. Por kjo është një çështje më shumë juridike se sa politike.
Dialogu maqedono-grek duhet të vazhdojë. Të shpresojmë se do të mund të përforcojmë mirëbesimin dhe të arrijmë disa ide të reja, të cilat do të mund të na çojnë përpara.
DVelle