English

Mjaft!: Të shokuar nga videoja greke

Tiranë, 27 mars, NOA - Lëvizja Mjaft! është shprehur e shokuar nga demonstrimi i hapur racist i ushtrisë greke përballë institucioneve më të larta të vendit fqinj, i cili u publikua nga agjencia NOA ditën e djeshme.

Në një deklaratë të saj, kjo lëvizje bën me dijeni se "tonet ksenofobe dhe thellësisht fyese të forcave ushtarake helene janë dëshmi e qartë e një racizmi të skajshëm që manifestohet jo vetëm ndër individë e grupime të shkëputura të shoqërisë greke, por tashmë në formë të organizuar në rang institucional".

Sipas Lëvizjes Mjaft! tone të tilla ksenofobie jo vetëm që nuk i shërbejnë miqësisë dhe bashkëpunimit mes fqinjëve, por mbjellin fara urrejtje dhe shkaktojnë destabilitet në rajon, si dhe vënë në pikëpyetje standardet e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian, për sa kohë që një anëtar i kësaj bashkësie fyen dhe denigron fqinjët e tij, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Turqinë.

"E bën këtë ngjarje edhe më skandaloz fakti që forcat ushtarake të një anëtar të NATO-s i drejtohen me kërcënime makabre vendeve partnere të Aleancës", shtojnë aktivistët e lëvizjes Mjaft!.

Duke përfunduar se "institucionet më të larta qeverisëse të Greqisë të tregojnë gatishmëri të lartë bashkëpunimi dhe aftësi për të parandaluar përsëritjen e të tilla akteve poshtëruese, tashmë të kthyera në rutinë".

n.e/NOA

KOMENTE