English

Operacioni "Befasia" sekuestron 180 kg drogë

Gjirokastër, 27 mars, NOA - Plot 180 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë janë sekuestruar nga policia e Gjirokastrës, ndërsa janë arrestuar në flagrancë dy transportuesit e tij dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë.

Lajmi konfirmohet nga burimet policore të Gjirokastrës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave ky ka qenë rezultat i një operacioni të kryer prej tyre me emrin "Befasia".

Kjo pasi ata kishin marrë informacion në rrugë operative se dy persona nga fshati Lazarat po transportonin me kafshë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike marijuanë në drejtim të malit Sopot, me destinacion Sarandën dhe më pas Italinë.

Mbi bazën e këtij informacioni, rezultonte se një pjesë e rrugës do kryhej me kafshë transporti dhe më pas ngarkesa kur të arrinte në malin Sopot dhe konkretisht tek vendi i quajtur Antenat, do të merrej nga dy persona prej Delvine.

Menjëherë, forcat policore janë angazhuar dhe rreth 200 metra poshtë antenave në rrugën automobilistike që lidh fshatin Varfaj me Antenat në malin e Sopotit, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të Harilaos Lolit, 22-vjeç dhe Mirel Ademi, 25-vjeç; që të dy lindur dhe banues në fshatin Varfaj të Delvinës.

Këta persona me automjetin tip Benz me targa DL 23 37 A, i cili drejtohej nga Harilaos Loli, po transportonin ngarkesën me lëndën narkotike në drejtim të Sarandës, të cilën e kishin marrë nga dy persona nga fshati Lazarat disa minuta më parë tek vendi i quajtur Antenat, të cilët janë identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia.

Nga kontrolli i ushtruar në brendësi të automjetit rezultoi se në bagazhin e këtij mjeti dhe në sediljen e pasme, të cilën e kishin hequr, kishte 132 pako të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike rreth 180 kilogramë.

Materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE