English

Rama në Asamble: 30 prill, protesta e madhe

Tiranë, 27 mars, NOA Update - Beteja e opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit do të vazhdojë dhe stacioni i saj i parë do të jetë më 30 prill, kur në Tiranë socialistët pritet të organizojnë një protestë madhështore.

Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës që ai mbajti në hapje të punimeve të Asamblesë Kombëtare të kësaj force politike, duke zyrtarizuar fillimin e protestave që prej javës së ardhshme.

Duke ftuar të gjithë popullin opozitar në protesta, Rama tha se mazhoranca e hodhi poshtë kërkesën e Partisë Socialiste për hetim dhe transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare.

"Gjithë burimi i së keqes është tek ato kuti të mbyllura, të cilat nuk janë sende për të cilat grinden dy palë, por janë shembull i keqqeverisjes në një qeveri që e ka vetëm të shkruar të drejtën e votës së lirë", tha ai.

Më tej, Rama tha sesi kërkesa e PS-së për transparencën e zgjedhjeve ndeshi në mohimin e mazhorancës.

"Me forcën e vetme të kartonit, Berisha dhe Topalli bënë më të keqen e mundshme, ngritën një komision të pakuptimtë për të hetuar vetveten", shtoi ai.

Në fund të fjalës, deklaroi se "çdo hap që do ndërmarrim qëndron në besimin tonë të palëkundur se vetëm nëpërmjet transparencë kalon jo vetëm kriza parlamentare, por dhe kriza ekonomike dhe demokratike".

n.e/NOA

KOMENTE