English

Rikthimi i Martin Camajt

Tiranë, 27 mars, NOA / Nga Milena Selimi - Duhet të ishte 85-vjeç tani poeti i njohur Martin Camaj, por jeta e hodhi në sfida pafund dhe ai nuk e pa vendin e tij prej shumë e shumë vitesh.

Për fat, pas Kosovës, që e ka nderuar dhe në kohën e diktaturës, shkrimtarin dhe studiuesin e njohur, tani ka ardhur radha e Shqipërisë për të realizuar nderimin e tij.

Nuk dihet se çfarë do bëhet deri në korrik, kur do të jetë përvjetori i tij, por kjo figurë meriton shumë nga gjërat që i janë mohuar në vendin tonë.

Në këtë vazhdë, studiuesi Behar Gjoka sjell shpejt si një botim më vete, studimin "Rikthimi i Martin Camajt", analizën e tekstit dhe formave letrare të shkrimtarit.

Duke iu referuar atij, pritet që përvjetori i shkrimtarit pritet të përkujtohet në konferenca shkencore dhe pse jo dhe me një projekt për botimin e plotë të veprës letrare nga dega e Albanologjisë në Munih, ku ai ka qenë drejtues për vitet e fundit të jetës.

Analiza e teksteve dhe formave letrare që ai lëvroi, eksperimentet e një krijuesi që punën e kreu larg Shqipërisë, janë argumentet kryesore të një libri që sapo është dërguar në shtyp.

"Rikthimi i Martin Camajt" është një nga librat që vjen pikërisht në vitin e përvjetorit të shkrimtarit.

Në fakt është një iniciativë e degës së Albanologjisë në Uni Munih në bashkëpunim me shoqatën kulturore "Martin Camaj" në Lenggries që kanë ndërmarrë dy projekte botimi. Po referuar studiuesit Bardhyl Demiraj, në shtyp është dërguar edhe një vëllim përkujtimor shkencor me kontribute nga albanologë të vendeve të ndryshme të Evropës dhe SHBA-ve, kurse besohet se shpejt do jetë një tjetër projekt që pritet të marrë formë, është botimi i plotë i veprës letrare në 10 vëllime, i cili do të finalizohet në prag të Panairit të Librit.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE