Sir, 27 mars, NOA - Në Libi filloi sot samiti i 22-të i shteteve të Ligës Arabe, ku megjithë përpjekjet, ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk ka arritur që nëpërmjet pesë shteteve që e kanë njohur pavarësinë e saj nga Liga Arabe ta fusë çështjen e njohjes në këtë aktivitet.
Ka qenë zëdhënësja e MPJ-së, Albana Beqiri, e cila ka deklaruar se kjo ministri nuk ka arritur ta fusë çështjen e pavarësisë së Kosovës në këtë konferencë, përkundër "përpjekjeve të shumta".
Ndërkaq, në fjalën e tij, Emiri i Katarit, sheiku Hamadi bin Chalifa al-Thani kritikoi se dallimet në mes të shteteve arabe kanë penguar gjatë viteve të kaluara politikën e përbashkët të suksesshme.
Ndërkaq Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Amre Musa i bëri thirrje anëtarëve të organizatës që të shtojnë presionin e tyre ndaj Izraelit.
Ai theksoi se negociatat për arritjen e paqes në rajon nuk duhet të kthehen në një proces me fund të hapur.
Ndërsa, nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, ban Ki Moon apeloi tek vendet arabe që të përpiqen në mënyrë intensive për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.
n.e/NOA