Athinë, 27 mars, NOA - Në intervistën e tij, prof. Spiros Makridhaqis, profesor i njohur grek i universitetit francez Enesead dhe atij të Pireut, jo vetëm që nuk përjashton por e sheh dhe "si zgjidhje" falimentimin e vendit dhe e cilëson hyrjen e Greqisë në Eurozonë "si një gabim të madh" dhe jo sukses.
Ai mund të konsiderohet si "zëri tjetër", pse jo edhe "heretik" për opinionin dominues në vendin e tij. Titulli i librit të tij "Duke vallëzuar me fatin", me bashkautorë kolegët e tij evropianë Robin Hogart dhe Anil Gaba, vjen për t'u përligjur më së miri dhe në rastin e qorrsokakut financiar të Greqisë, duke pohuar se nuk ka shpëtim nga falimentimi, ndoshta sipas tij, do të vlejë vetëm kthimi tek monedha vendase e dikurshme, dhrahmia.
Prof. Makridhaqis, si e konsideroni, borxhin e lartë të vendit tuaj, Greqisë. A mendoni se ai mund të mjaftojë për falimentimin?
- Nuk e konsideroj unë të mjaftueshëm për falimentimin. Por historia ka treguar se vende që kanë 60-70 përqind borxh, mund të falimentojnë. Shumë nga ato kanë falimentuar.
Dhe kësaj radhe është ndryshe. Një libër me titullin "8 shekuj marrëzi financiare" (This Time is Different: Eight Centuries of Financial Folly të M. Reinhart-Kenneth Rogoff)- thotë se për vendet që kanë mbi 60 përqind borxhe gjërat fillojnë dhe bëhen shumë të rrezikshme.
Nuk ka dyshim, se me borxhin sa dyfishi i minimales së parashikuar Greqia është dhe dyfish e rrezikuar nga falimentimi.
Shpresojmë të kërcejmë me fatin. Ajo që duhet të bëjmë është që të punojmë fort me qëllim që të mos shkojmë në vallen e Zallongut.
Ç'mund të thoni për gjermanët që dyshojnë se Greqia nuk mund të shlyejë borxhet?
- Interesi kombëtar i gjermanëve është një euro e fuqishme. Problemi ynë është krejt tjetër. Ne duam të kreditohemi me kamata të ulëta. Të dyja nuk shkojnë mirë. Në qoftë se ju japim para me kamata të ulëta, thonë gjermanët, ju do të vazhdoni të bëni të njëjtat gjëra.
Nuk do të keni disiplinë financiare. Ky është shqetësimi i tyre i madh. E di, kemi edhe ne të drejtën tonë se u themi pse nuk na i thatë më parë këto gjëra. Se papritur sikur na thonë se iu lëmë në mëshirën e fatit.
Por nga ana tjetër, edhe gjermanët kanë të drejtë në qoftë se e sheh dikush çështjen me objektivitet, nga pozicioni i tyre. Të thonë, ku do të vejë kjo punë? Si do të reduktoni borxhin tuaj? Kur ne kemi një borxh që në vitin 2012 do të arrijë pothuajse 350 miliardë euro?
Që të bëhemi konkurrues duhet të kthehemi pas te dhrahmia
Por a mund të jetë në këtë kushte zgjidhja e Fondit Monetar Ndërkombëtar e vetmja alternativë?
- E vetmja alternativë për mua është falimentimi. Ajo është. Edhe FMN-ja në fund të fundit do të na vendosë kushte të tilla që do të shtrëngojmë më shumë rripin, me qëllim që të evitojmë falimentimin.
DVelle