Porto-Prince, 27 mars, NOA / Nga Beqir Sina - Nëpunësja e lartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në kryeqytetin haitian Porto Prince, shqiptarja Vlora Mërlaku rrëfen për agjencinë e lajmeve INA se do të ngelet në Haiti, për sa kohë do të jetë e nevojshme për të ndihmuar dhe rikthyer këtë tokë të djerrur nga shembjet dhe mbeturinat që janë të pranishme pas tërmetit katastrofal.
Ajo thotë se asnjëherë nuk ka arritur që të përjetojë një katastrofë të tillë, ndërsa nuk mban mend një gjë të tillë edhe OKB-ja.
Impresionet më të fundit të Vlorës janë takimi me ish-presidentët amerikanë, Bill Klinton dhe Xhorxh Bush që po vijojnë misionin human të SHBA-ve në Haiti.Si e përshkruani ju situatën e pas tërmetit apokaliptik në Haiti?
- Situata e përgjithshme për momentin vazhdon të mbetet e qetë. Është vërejtur një progres gjatë procesit të restaurimit dhe situata po vazhdon të stabilizohet.
Ku ndodheni tani ju dhe punonjësit e tjerë shqiptarë, momentalisht?
- Unë personalisht për momentin ndodhem në Haiti. Isha në pushim 15 ditor, pas tërmetit që na është ofruar nga OKB-ja dhe vendosa të bëj një pushim në Majami, Las Vegas dhe Bahamas. Një pjesë e stafit kosovar, kolegëve të mi, di që është transferuar me punë përkohësisht në Republikën Domenikane.
Me çfarë vështirësish po përballohet popullsia haitiane?
- Popullata haitiane po përballohet me vështirësi në strehim, kushte sanitare,heqjen e copërave të shtëpive dhe ndërtesave të rrënuara, menaxhimin e kampeve të të zhvendosurve si dhe rikthimin në jetën normale.
Çfarë po bëhet me ndihmat?
- Ndihmat humanitare po shpërndahen me intensitet të madh, asistenca mjekësore po vazhdon, struktura e kampeve të të zhvendosurve është përmirësuar dukshëm.
Këto ditë në Haiti ishin edhe dy ish-presidentët e famshëm amerikan Bill Klinton dhe Xhorxh Bush. I takuat ata dhe çfarë impresione keni nga ato takime?
- Kur presidenti Klinton e kuptoi që jam nga Kosova, mënyra se si u shpreh me buzëqeshje dhe një ton të ngritur duke përsëritur dy herë "Kosova, Kosova…thank you, thank you…Congratulations" dhe duke ngritur njërën dorë lartë, të më takonte, e kuptova që vërtetë i erdhi shumë mirë që takoi një punonjëse nga Kosova këtu në kompoundin e OKB-së në Haiti. E ndiej veten shumë krenare që jam nga Kosova, dhe po punojë të ndihmojë popullin haitian.
Megjithëse fare simbolike, por a ke parë ndonjë ndihmë "Made in Albania ose Made in Kosova"?
- Unë nuk jam e përfshirë në punët humanitare në terren dhe personalisht nuk kam parë ndonjë ndihmë ku të shkruhet Kosova apo Shqipëria.
Sipas mendimit tuaj kur do të ribëhet Haiti?
- Nga perspektiva ime, do të marr shumë vite që ky vend të rindërtohet dhe është vështirë të vlerësohet pasi mëse 80 për qind e kryeqytetit është rrënuar tërësisht.
NOA-INA