English

Edi Rama: Në sheshin "Skënderbej" harrojeni të bëhen më mitingje

Tiranë, 28 Mars NOA Update / Blerina Ahmetaj - "Sheshi "Skënderbej" do të ketë hapësira të shumta për qytetarët, por jo më për mitingje si deri dje.". paralajmërimin e bëri sot kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, duke folur në nisjen e punimeve të projektit për qendrën e metropolit shqiptar.

Duke theksuar se ky shesh, më i njohuri i vendit nuk do të përdoret më për mitingje, Rama shtoi: "Ky ka qenë një shesh i paradave dhe manifestimeve dhe projekti është i koncentruar për ta kthyer këtë shesh në një vend të manifestimit njerëzor, të qytetarisë si shprehje e personit dhe jo e turmës, përmes një forme shumë të veçantë që mund të ketë sheshi".

***

Bashkia e Tiranës nisi të dielën rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej", bazuar në projektin e arkitektëve belgë të studios e cila doli fituese në konkursin ndërkombëtar.

Në fjalën e tij gjatë përurimit të fillimit të punimeve, kryetari i bashkisë së Tiranës, i shoqëruar nga deputetë të partisë socialiste, drejtues socialistë të pushtetit vendor në kryeqytet i kërkoi qytetarëve mbështetjen për të përmbyllur me sukses këtë projekt të cilin e ai e konsideroi fantastik për kryeqytetin.

"Realizimi i projektit kërkon bashkëpunimin e të gjithëve, trafiku do rëndohet, duhet durim, mbështetje, me bindjen se pas një periudhe jo të lehtë shumë gjëra do të kryhen në shesh, por më pas do kemi sheshin që kemi ëndërruar vite për vite me radhë", - u shpreh kryetari i bashkisë.

"Bëhet fjalë për një projekt që do të ketë infrastrukturë tokësore të pasur nëntokësore, si dhe do të ketë njëkohësisht infrastrukturë ujore të pasur që do të shërbejë që ta kthejë sheshin, në një shesh me shatërvanë, mundësi për lojërat e fëmijëve, do të ketë një shesh pa makina, të rrethuar nga një kurorë e gjelbër që do ta realizojmë duke e kthyer sheshin në një oaz për të gjithë ata që duan të jenë në mes të Tiranës, por larg trafikut të Tiranës", - theksoi z.Rama.

Uji që do të përdoret për ujitjen e tij apo edhe lojëra të ndryshme për fëmijë do të përfitohet nga shiu dhe nuk do të jetë uji i pijshëm", - tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, kryebashkiaku i ka kërkuar institucioneve të larta të qeverisë të mos bëhen pengesë e projektit që do të bëjë krenar çdo qytetar shqiptar.

Qendra e Tiranës, sheshi "Skënderbej" u rrethua të shtunën në mbrëmje me rrjeta teli. Rikonstruksioni i këtij sheshi është marrë përsipër nga një kredi e marrë nga Kuvajti dhe vlera shkon në 4.3 milionë euro.

b.a/NOA

KOMENTE