English

Korrupsioni në doganë, arrestohen dy policë

Gjirokastër, 28 mars, NOA - Hetimi për lëshimin e vulave të qëndrimit në Shqipëri ka çuar në pranga tre persona ditën e djeshme në doganën e Kakavijës në Gjirokastrës. Dy prej të arrestuarve, Ylli Hoxha dhe Brisilda Biraçi janë punonjës të policisë në këtë pikë doganore. Ndërsa personi i tretë Spiro Çami, ka qenë i punësuar pranë një agjensie udhëtimi në Kakavijë, me detyrën biletashitës.

Sipas policisë së Gjirokastrës, Spiro Çami në bashkëpunim me dy punonjësit e policisë të Pikës së Kontrollit Kufitar Kakavije siguronte vulat e hyrjes për në Shqipëri duke përfituar shuma parash që varionin nga 600 deri në 800 Euro për person. Policia sqaron se mbi bazën e këtyre informacioneve është regjistruar procedimi penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ku për disa ditë rresht nga shërbimet e sipërpërmendura, Çami është mbajtur nën vëzhgim.

Arrestimi i tij është bërë dje rreth orës 16.00, nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.

"Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Benz me traga greke INI 50 97 të këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9(nëntë) pasaporta shqiptare të cilat ishin të vulosura me vulë hyrje për në Republikën e Shqipërisë më datën 27.03.2010, gjatë orëve të mëngjezit, si dhe 1200 Euro, 50.000 lekë të reja shqiptare dhe tre celularë me kartat SIM", thuhet në njoftimin e policisë së Gjirokastrës.

Nga hetimet rezultoi se këto pasaporta ishin vulosur nga Ylli Hoxha dhe Brisilda Biraçi, të dy punonjës policie të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavije.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pasaportat, lekët , eurot , celularët dhe automjeti i shtetasit Spiro Çami.

m.xh/NOA

KOMENTE