English

Pëllumba? Jo, skifterë!

Të qenit i ashpër, arrogant dhe fyes është një premisë suksesi dhe karriere të shpejtë politike. Të qenit i butë, konstruktiv dhe i rezervuar në sharje për kundërshtarin, merret si shenjë dobësie, pasiviteti dhe mungese "pigmenti"

Nga Skënder Minxhozi Mënyra sesi kriza e gjatë elektorale u pretendua se u zgjidh në Parlament, la një shije të hidhur në shumë gojë shqiptare dhe të huaja. Ngritja e një komisioni hetimor, ku marrin pjesë ata që i kanë lavdëruar zgjedhjet e 28 qershorit si më të mirat, kurse ata që në fakt kanë kërkuar hetimin kanë mbetur jashtë, është prova më e mirë e absurdit që vazhdon të mbështjellë klasën tonë politike. Ndërsa dy misione të huaja sillnin në Tiranë ultimatume për gjetjen e një kompromisi, askush nga aktorët kryesorë të krizës nuk ia vinte veshin këshillave dhe kërcënimeve. Stefan Fyle pati fatin e Mevlut Çaushoglusë, ndërsa PD e PS vendosën edhe një herë se tensioni politik nuk është i mjaftueshëm për të gjetur një zgjidhje. Duhet temperaturë më e lartë, për të sjellë shkrirjen e akujve! Cinike, por e vërtetë. Kjo qasje e dyanshme, por që në fakt ka si violinë të parë Qeverinë, e pas saj opozitën, reflekton një problem të vjetër të klasës sonë politike. Ndërsa po përmbyllim kuadrin e ngritjes së sistemit, të rregullave të lojës (në letër), ndërsa aprovojmë ligje prej njëzet vjetësh dhe ngremë institucione në të gjitha katet e shtetit, kemi lënë të paprekur kodin e komunikimit politik, aparatin e dhunës verbale, mungesën totale të tolerancës dhe paaftësinë e pashërueshme të të bërit kompromis dhe të të gjeturit zgjidhje. Si të thuash se kemi ndërtuar hotele e restorante të shtrenjta, por shërbimi dhe gatimi në to vazhdon të jetë mizerabël. Kjo krizë elektorale është shumë e vjetër dhe e ngjashme në këtë aspekt me ato të dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetëve më parë. Pas pauzës së shkurtër të vitit 2002, pas premtimeve për një linjë të re politike në vitin 2005, sot jemi kthyer në formatin e vjetër të politikës së frëngjive, prej ku snajperët politikë gjuajnë kohë pas kohe njëri-tjetrin. S'ka dyshim se gjetja e një kompromisi mbi krizën aktuale është një ushtrim i vështirë politik. Asnjë kompromis politik nuk është i lehtë. Por, kur kultura e kompromisit thjesht mungon, asnjë marrëveshje s'mund të arrihet. Jeta jonë politike vazhdon të dominohet nga skifterët. Jo vetëm seanca e fundit parlamentare, jo vetëm deklarimet e përditshme, jo vetëm qasja brutale që klasa politike bën ndaj agjendës së ditës, por përgjithësisht ajri që thithet në ambientin politik, është i mbarsur me fatalitetin e përplasjes, të betejës së pandërprerë, të konfliktit dhe krizës me çdo kusht. Pakkush ka shpresuar se nga seanca parlamentare në fjalë do të dilte një zgjidhje çfarëdo. Sepse shumëkush ka ditur në avancë se cila është sjellja dhe taktika e vetme që buron nga kultura e konfliktit që përfaqësojnë politikanët kryesorë të vendit. Berisha dhe Nano e Meta dikur, tani Berisha, Meta dhe Rama, po i japin formë një show të gjatë politik, ku qëndrimi refraktar dhe kundërshtimi i gjithçkaje qëndron në themel të sjelljes politike. Soji i skifterëve politikë në Shqipëri, është një rudiment i dekadës së parë të tranzicionit, ku kundërshtarët futeshin në burg dhe gazetat digjeshin. Ky komportim i sotëm është një variant i ndryshuar i luftës kundër komunizmit, një fushate absurde të konceptuar nga ish-komunistë dhe ish-karrieristë të Partisë së Punës, të konvertuar në antikomunistë. Të "drejtën e autorit" të këtij mutacioni e mban zoti Berisha (e për shkak të tij edhe disa prej përkrahësve, por edhe kundërshtarëve të tij politikë), i cili frymëzoi më pas një gjeneratë të tërë politikanësh, djathtas dhe majtas, të cilët kanë krijuar sot një rreth vicioz ku gjithmonë fitojnë të fortët dhe ekstremistët. Kjo ligjësi bëri që edhe në zgjedhjet e fundit, eksperimenti i Edi Ramës për të fituar nëpërmjet një fushate "të butë", të dështojë, duke i sugjeruar kreut të PS që të rikthejë sytë nga linja e ashpër. Politikanët shqiptarë janë shumë të lexueshëm në ekstremizmin e tyre gjenetik. Të qenit i ashpër, arrogant dhe fyes është një premisë suksesi dhe karriere të shpejtë politike. Të qenit i butë, konstruktiv dhe i rezervuar në sharje për kundërshtarin, merret si shenjë dobësie, pasiviteti dhe mungese "pigmenti". Njëlloj si në kohën e komunizmit, kur ekstremistët (atëherë quheshin sektarë), ishin gjithnjë më pak të rrezikshëm dhe të qortueshëm sesa liberalët. Për të parët mjaftonte një kritikë, për të dytët shpesh ilaçi i vetëm ishte persekutimi e dënimi ekstrem. Tradicionalisht ka fituar ai që shan e bërtet, para atij që arsyeton dhe flet. Ka triumfuar thuajse përherë linja e forcës mbi linjën e logjikës. Një ndër shembujt absurdë të kohëve të fundit është ai i PD së Tiranës, në majin e shkuar, ku mes një kandidati që përdorte fjalën e fundit ndaj "mafies së kuqe" dhe atij që nuk ishte i dhënë pas këtij zhargoni, fitoi pa asnjë mëdyshje i pari. Jo vetëm kaq. Mes të dyve është krijuar sot një hendek i qartë karrierash, ku ish-kandidati i parë ka fituar gjithçka në sytë e partisë së tij, kurse i dyti është margjinalizuar në mënyrë absurde. Në inkubatorët partiakë, aty ku rriten e marrin formë karrierat politike, metoda kryesore për të kapur me dorë suksesin është "sulmo fort dhe mos i lërë kundërshtarit asnjë hapësirë". Skifterë në vend të pëllumbave. Ja çfarë duhet të dalin nga vezët e paçelura. Përkundër shprehjes së njohur britanike "lëri gjithmonë një shteg armikut tënd për të shpëtuar faqen", në jetën politike që zuri fill pas vitit 1990 në Shqipëri, kultura e dhunës verbale dhe e denigrimit me çdo kusht e mjet të kundërshtarit, ka zënë rrënjë të thella që duket se nuk do të zhduken edhe për shumë kohë. Të qenit i moderuar vazhdon të merret si një mëkat i pandreqshëm dobësie, si një defekt gjenetik që çon tek mossuksesi, si një premisë e patjetërsueshme kapitullimi përballë transhesë tjetër. Më mirë të jesh grotesk në ato që thua, të shash pa doganë dhe pa dallim, pa argumente dhe gramatikë, sesa të jesh i butë. Që do të thotë, me syzet e partive të mëdha - i dobët!

KOMENTE