Tiranë, 28 Mars NOA - "Partia Socialiste do të jetë në Kuvend vetëm për një arsye: transparencën e 28 qershorit". Këtë pohim e bëri sot në një dalje për mediat, deputeti socialist Taulant Balla duke siguruar se të zgjedhurit e popullit që janë në radhët e opozitës nuk kanë ndërmend të merren me asnjë ligj apo nismë ligjore të ndryshme nga ajo që ka propozuar PS për hetimin e plotë të zgjedhjeve.
"PS do të jetë në Kuvend vetëm për transparencën e 28 qershorit sepse nuk mund të ketë një Parlament normal që nuk ushtron dot të drejtën e vet kushtetuese për transparencë", - argumentoi Balla arsyen e bojkotimit që do t'i bëhet të gjitha objekteve të tjera të Parlamentit, përjashtuar nismës ligjore të PS për hapjen e kutive.
"Nuk mund të ketë një parlament normal, kur pushteti ekzekutiv ushtron presion mbi legjislativin, jo vetëm duke i cënuar pavarësinë, por mbi të gjitha duke e detyruar atë të shkelë hapur dhe në mënyrë flagrante ligjet, rregullat dhe kushtetutën", - vlerësoi z.Balla.
Më tej, ai risiguroi qëndrimin e PS për të mos hyrë ne debate parlamentare për asnjë ligj tjetër, kur tha:
"Për aq kohë sa Parlamenti nuk do të ushtrojë dot të drejtën e vet kushtetuese, për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve përmes një komisioni hetimor parlamentar të mirëfilltë e jo si ajo farsa e gatuar nga Sali Ruzhdie Topalli më 19 mars, grupi kuvendor socialist do të jetë në parlament vetëm për një qëllim: bërjen e transparencës".
e.r/NOA