English

PS: Rruga jonë është mëse e qartë: Protesta dhe vetëm protesta

"Unë dua të them shumë qartë që më 1 maj festojnë diktatorët dhe protestojnë punëtorët e thjeshtë, por dua ti kujtoj Sali Berishës që në listën e gjërave që ka për të festuar në 1 maj të fusë edhe faktin që kilja e preshit ka vajtur 1500 lekë"

Tiranë, 28 Mars NOA - "Rruga e Partisë Socialiste tashmë është mëse e qartë: Protesta dhe vetëm protesta, në çdo rrugë, në çdo fshat, në çdo qytet, në të gjithë Shqipërinë sepse shqiptarët sot kanë më shumë arsye se asnjëherë tjetër për të protestuar".

Kështu deklaroi sot në mesditë, deputeti i Partisë Socialiste Tauland Balla në një dalje për mediat, ku ndryshe nga deri sot, është pranuar të ketë dhe pyetje nga gazetarët.

Balla tha se PS do të protestojë për jetesën që është bërë e papërballueshme për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, mallrave dhe shërbimeve bazë.

"Do të protestojmë dhe për shtrenjtimin e energjisë elektrike që po i shteron familjeve shqiptare edhe ato pak të ardhura që kanë, por edhe për familjet e përmbytura në veri e në juglindje të Shqipërisë, me të cilat pushteti vazhdon të tallet sepse është ky pushtet dhe kjo qeveri që me papërgjegjshmëri ua mbyti tokat, tani nuk denjon as t'u japë dëmshpërblimin që u takon", tha Balla.

"Do të protestojmë, - vijoi ai, - për të gjitha ato familje shqiptare të cilat jetojnë prej muajsh në qiell të hapur sepse shtëpitë u janë shkatërruar nga rrëshqitjet e tokave apo tërmeti, ndërsa qeveria i ka lënë në harresë".

Më tej Balla ka përmendur dhe arsye të tjera të protestës opozitare duke u ndalur në varfërinë e pensionistëve dhe familjet që tha se sot, marrin shumë më pak se minimumi jetik.

Duke theksuar se "sot në Shqipëri janë të paktë ata që nuk kanë arsye për të protestuar", Balla përmendi dhe "protesta kundër një qeverie që ka frikë të bëjë transparencë pasi e di fare mirë se çfarë fshihet në kutitë e votimit".

I pyetur nëse do të jetë Shkodra qyteti i parë ku do të protestohet, Balla tha se "në ditët në vijim do bëjmë me dije të gjithë axhendën e protestave që PS do të fillojë menjëherë që nga java që fillon, ditën e hënë".

Kurse lidhur me reagimin e maxhorancës një ditë më parë që paralajmëroi një miting në datën 1 maj, tha: "Unë dua të them shumë qartë që më 1 maj festojnë diktatorët dhe protestojnë punëtorët e thjeshtë, por dua t'i kujtoj Sali Berishës që në listën e gjërave që ka për të festuar në 1 maj të fusë edhe faktin që kilja e preshit ka vajtur 1500 lekë".

e.r/NOA

KOMENTE