English

Qeveria thotë se nuk do të lejojë punimet në sheshin "Skënderbej"

"Ne nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë, që interesat e klientëve politikë dhe financiarë të z. Rama, të mbivendosin interesat e qytetarëve të Tiranës, dhe që z. Rama në këtë mënyrë sheshin ta kthejë në përshesh"

Tiranë, 28 Mars NOA/ Update - Ministri i Transporteve Sokol Olldashi paralajmëroi sot se qeveria nuk ka ndërmend të lejojë Bashkinë e Tiranës që të kryejë ndërtime në sheshin "Skënderbej" pasi nuk ka marrë leje nga KRRTRSH (Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë).

Oldashi në daljen e sotme për mediat, pak pasi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ishte sot në sheshin "Skënderbej", për të inauguruar punimet për rikonstruksionin, akuzoi Ramën se po bën ndërhyrje të paligjshme.

Duke përdorur termin "Rama u shfaq në një porcion të vogël të këtij sheshi", Olldashi tha se do të doja ta përshëndesja nxitimin apo shpejtësinë me të cilën Kryetari i Bashkisë reagoi ndaj ndërhyrjes së Kryeministrit pak ditë më parë në mbledhjen e Qeverisë".

Sipas Olldashit, Kryetari i Bashkisë po ndërhyn në shesh pa pasur një projekt, pavarësisht se thuhet prej tij se ka një projekt nga studio 51.

"Së pari studioja 51 ka qene një studio e nje klienti te vjetër të z. Rama. i shokut te tij te dhomës ne Paris, Andi Sala dhe së dyti ligjërisht qendra e Tiranës ka një plan të aprovuar, qe është Plani Francez dhe për te cilin jemi te gjithë në dijeni, nësë bëhet një ndryshim i këtij plani është e domosdoshme qe plani te paraqitet për miratim ne KRRTRSH, gjë që nuk ka ndodhur", - u shpreh Olldashi.

Ai nënvizoi se ndryshimet nga Plani Francez janë të thella dhe për më tepër ato janë kryesisht klienteliste.

"Nëse i referohemi hartës të cilën ne disponojmë zyrtarisht behet fjale për ndryshime qe lidhen me interesat konkrete te disa njerëzve të afërt te z. Rama, përfshirë hotetel e Koços dhe Dashit", - shpotiti Olldashi.

Këtu ai lëshoi paralajmërimin e fortë: "Ne nuk kemi ndërmend të lejojmë që pa një plan të miratuar të shpenzohen fonde të kontraktuara nga qeveria e Shqipërisë për të bërë ndërhyrjen në sheshin "Skënderbej" që nuk kanë asnjë lidhje me interesat e qytetarëve por kane lidhje me interesat e hoteleve të Koços dhe të Dashit".

Duke vijuar me paralajmërimin e tij, z.Olldashi tha se "ne nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë, që interesat e klientëve politikë dhe financiarë të z. Rama, të mbivendosin interesat e qytetarëve të Tiranës, dhe që z. Rama në këtë mënyrë sheshin ta kthejë në përshesh".

Në përfundim të deklaratës së tij Olldashi tha se e fton z. Rama "të shpejtojë dhe këtë herë edhe në mënyrë ligjore për të bërë planin, miratimin dhe shqyrtimin sepse është ne kundërshtim flagrant me ligjin për Urbanistikën dhe me vendimin, nr. 180, viti 2000 të Këshillit të Ministrave ku vetë z. Rama ka qenë anëtar, vendim i cili parashikonte mënyrën se si ndërhyhet nga Instituti i Monumenteve Kulturore të Tiranës që shtrihet nga "Sheshi Nënë Tereza" deri tek stacioni i trenit. Këtu Olldashi iu referua faktit se atëherë Rama ishte ministër i Kulturës.

e.r/NOA

Lexoni më shumë mbi argumentin:

Edi Rama: Në sheshin "Skënderbej" harrojeni të bëhen më mitingje

Emiri i Kuvajtit, si po e shndërron sheshin "Skënderbej"

KOMENTE