English

Ushqimet, Higjiena: Prodhimet vendase nuk kanë datë skandence

Tiranë, 28 Mars NOA/ Blerina Ahmetaj - Specialistët e sektorit të higjienës ushqimore në Drejtorinë e Shëndetit Publik shprehen të shqetësuar për mungesën e datave të skadencës në produktet ushqimore që prodhohen brenda vendit.

Shefja e sektorit të higjienës ushqimore në drejtorinë e Shëndetit Publik, Lumturi Hysellari tha sot për agjencinë e lajmeve NOA se kryesisht problematike paraqitet situata tek prodhimet e bulmetit dhe produktet e pastiçerive.

"Ndryshe nga produktet e importit, firmat prodhuese vendase nuk po ndërgjegjësohen se datat e skadencës në produktet që tregtojnë në treg janë një detyrim ligjor i tyre. Vazhdojmë të konstatojmë produkte pa datë skadence dhe në bazë të ligjit "Për sigurinë ushqimore", ne detyrohemi t'i asgjësojmë", u shpreh inspektorja.

Në bazë të ligjit, për subjektet që nuk respektojnë datën e skadencës ka sanksione me gjoba që variojnë deri në 100 mijë lekë, por shqetësimi i inspektorëve mbetet shëndeti i konsumatorit.

Hysellari thotë se vetë konsumatori duhet të jetë i ndërgjegjshëm për produktet që ble pasi data e skandencës është një nga standardet e munguara në tregtimin e ushqimeve.

"Vështirësia qëndron në vendosjen e datës së skadencës për produktet për konsum të shpejtë, por shohim që vendoset datë skadence afatgjatë për produktet, përbërjet e të cilave nuk lejojnë qëndrimin aq të gjatë në treg. Mendoj se ka ardhur koha të vendosen standarde në këtë drejtim", thotë Hysellari.

Ndryshe nga prodhimet vendase, me mallrat e importit problemi qëndron gjetiu.

Inspektorët sanitarë të higjienës kontrollojnë çdo muaj rreth 250 produkte importi si në dogana dhe në treg.

Por sipas tyre, ky kontroll nuk garanton 100 për qind sigurinë e produkteve pasi produktet e kontrolluara janë në sasi më të pakët nga çfarë hyn në doganë.

b.a/e.r/NOA Shkruajini autores: blerina.ahmetaj@noa.al

KOMENTE