English

Vrasje te "Nënë Tereza"

Fushë Kosovë, 28 Mars NOA - Një 46-vjeçar ka mbetur i vrarë pak pas mesditës së sotme, pasi disa persona hapën zjarr dhe më tej morën arratinë, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Ngjarja ndodhi sot (e Diel) në orën 12:30, në rrugën "Nëna Tereza" në Fushë Kosovë. Nga arma e zjarrit është plagosur rëndë dhe si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën viktima B. Gjyrevci 46 vjeçar, - konfirmoi zyrtarisht Policia e Kosovës.

Vdekja e viktimës është konfirmuar pak çaste më vonë nga ana e ekipit mjekësor në Qendrën Emergjente në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

Strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit, dhe kapjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe kanë zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se e gjithë kjo ka ardhur si shkak i një ngatërrese që është pasuar me një rrahje që për rezultat ka pasur gjuajtjen me armë zjarri dhe humbjen e jetës së viktimës si dhe lëndimin e një personi tjetër në një nga Bastoret Sportive që gjendet në këtë rrugë.

Ka qenë reagimi i menjëhershëm dhe profesional i policisë ai që ka rezultuar me identifikimin e tre të dyshuarve për të cilët dyshohet me bazë të jenë përfshirë në rastin në fjalë.

Në këtë rreth veprimesh pas trajtimit mjekësor që i është ofruar të dyshuarit F.A ai është paraqitur në Stacionin Policor ku pas shqiptimit të masës së arrestit policor hetuesit rajonalë po bëjnë një punë intensive hetimore për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë sjellë deri te kjo ngjarje tragjike.

Aktualisht policia është në kërkim edhe të dy të dyshuarve të tjerë të njohur për policinë të cilët tani për tani janë në arrati.

a.b/NOA

KOMENTE