English

Ambasadorja greke në Maqedoni: Dënojmë videon antishqiptare

Shkup, 29 mars, NOA - Ambasadorja greke në Maqedoni, Aleksandra Papadopulos, pasi u dorëzua zyrtarisht letra protestuese në MPJ, deklaroi se thirrjet nacionaliste të Gardës bregdetare janë incident i izoluar i cili do të dënohet dhe për të cilin do të merren masa përkatëse.

Pasi zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Zoran Petrov, dhe i dorëzoi notën protestuese ambasadores, ajo kërkoi që rasti të mos predimensionohet.

"Ky është incident i izoluar, dhe nuk duhet të nxirret prej konteksti. Doemos duhet të dënohet dhe është dënuar. Kjo nuk përfaqëson popullin grek, sjelljen, mentalitetin dhe ndjenjat e grekëve. Ju lutem mos e predimensiononi rastin, ky është rast i izoluar. Kjo nuk i ndihmon askujt", deklaroi Papadopulos.

Ambasadorja greke sqaroi se parullat nacionaliste brohoritën nga Garda Bregdetare, e jo nga Forcat e Armatosura të Greqisë.

Ajo po ashtu, informoi se përgjegjësi i njësisë është pushuar nga detyra, dhe paralajmëroi se do të hetohen rrethanat nën të cilat ndodhi incidenti dhe përgjegjësi për shkaktimin e tij. Thirrjet raciste të gardës bregdetare u bënë gjatë një parade ushtarake për përvjetorin e shtetit grek, me çrast u shprehën parulla raciste kundër shqiptarëve, por edhe maqedonasve. Thirrje të tilla raciste u bënë edhe në vitin 2008 dhe 2009.

NOA-INA

KOMENTE