English

Basha me kreun e policisë gjermane, bisedime për të dhënat online

Tiranë, 29 Mars NOA - Policia shqiptare dhe policia federale gjermane kanë një bashkëpunim të shkëlqyer me njëra tjetrën si në fushën operacionale të goditjes së kriminalitetit, ashtu edhe në fushat e shkëmbimit të informacionit dhe të trajnimeve.

Vlerësimet për këtë bashkëpunim u shprehën në takimin që Ministri i Brendshëm Lulzim Basha zhvilloi sot me Presidentin e Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë Jorg Ziercke.

Ministri Basha falënderoi në takim për ndihmën dhe asistencën e vyer të Gjermanisë për njësitë speciale policore, për krijimin e strukturave të hetimit të krimit kibernetik si dhe për trajnimet e vazhdueshme për punonjësit e policisë shqiptare, si dhe bëri të ditur se në kuadër të bashkëpunimit dypalësh Shqipëria do të ketë së shpejti një oficer kontakti në Gjermani.

Basha njohu kreun e policisë kriminale gjermane me arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar gjatë katër vjetëve të fundit, goditjen e mbi 200 grupeve kriminale, goditjen e trafikut të drogës, goditjen e korrupsionit deri në nivelet më të larta të administratës, rezultatet e jashtëzakonshme në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe arritjet në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Ministri u shpreh se përpjekjet dhe rezultatet e deritanishme pasohen me një fazë të re të luftës kundër kriminalitetit, që ka të bëjë me zbatimin e kuadrit ligjor "Antimafia" një armë e fuqishme për goditjen e grupeve kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të tyre financiare.

Basha theksoi ndërkohë se në kuadër të përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, Shqipëria ka arritur standardet e vendeve të zonës Schengen në fushën e sigurisë së kufijve dhe të sigurisë së dokumenteve të identitetit, duke bërë të mundur funksionimin e një sistemi modern të kontrollit kufitar të ndërlidhur me Regjistrin e Gjendjes Civile, me sistemin e analizës së informacionit kriminal, si dhe lidhje në kohë reale me bazën e të dhënave të Interpol-it.

Presidenti i Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë Jorg Ziercke përshëndeti këto arritje dhe shprehu inkurajimin e tij për zbatimin nga strukturat ligjzbatuese shqiptare të ligjit për konfiskimin e aseteve kriminale.

Duke bërë me dije se policia gjermane së bashku me atë austriake do të zbatojnë projektin ILECU 2 që do të zbatohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kreu i policisë kriminale gjermane Ziercke shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në përmirësimin e kapaciteteve teknike të policisë kriminale shqiptare.

Ai garantoi gjithashtu se Gjermania do të vijojë të japë ndihmesën dhe asistencën e saj në fushën e trajnimeve për policinë shqiptare.

e.r/NOA

KOMENTE