Tiranë, 29 mars, NOA - Policia shqiptare dhe ajo gjermane kanë një bashkëpunim të shkëlqyer me njëra-tjetrën si në fushën operacionale të goditjes së kriminalitetit, ashtu edhe në fushat e shkëmbimit të informacionit dhe të trajnimeve.
Vlerësimet për këtë bashkëpunim u shprehën në takimin që ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha zhvilloi me presidentin e Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë Jorg Ziercke.
Nga ana e tij, ministri Basha falënderoi në takim për ndihmën dhe asistencën e vyer të Gjermanisë për njësitë speciale policore, për krijimin e strukturave të hetimit të krimit kibernetik si dhe për trajnimet e vazhdueshme për punonjësit e policisë shqiptare, si dhe bëri të ditur se në kuadër të bashkëpunimit dypalësh Shqipëria do të ketë së shpejti një oficer kontakti në Gjermani.
Por Basha e njohu kreun e policisë kriminale gjermane edhe me arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar gjatë katër vjetëve të fundit, goditjen e mbi 200 grupeve kriminale, goditjen e trafikut të drogës, goditjen e korrupsionit deri në nivelet më të larta të administratës, rezultatet e jashtëzakonshme në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe arritjet në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Ndërsa Ziercke përshëndeti këto arritje dhe shprehu inkurajimin e tij për zbatimin nga strukturat ligj-zbatuese shqiptare të ligjit për konfiskimin e aseteve kriminale.
Duke bërë me dije se policia gjermane së bashku me atë austriake do të zbatojnë projektin ILECU 2 që do të zbatohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kreu i policisë kriminale gjermane Ziercke shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në përmirësimin e kapaciteteve teknike të policisë kriminale shqiptare.
Ai garantoi gjithashtu se Gjermania do të vijojë të japë ndihmesën dhe asistencën e saj në fushën e trajnimeve për policinë shqiptare.
n.e/NOA