Tiranë, 29 Mars NOA - Kryeministri Sali Berisha ka drejtuar mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike sot, pak ditë pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në spital të njohur privat.
Berisha dukej mjaft energjik dhe nuk la pa përdorur shpoti dhe hedhur romuze për rivalin e tij aktual Edi Rama.
"Dua të falënderoj edhe mediat me shumë respekt, të cilat dje ishin subjekt i një agresioni të paparë mesazhesh dhe trillimesh të një njeriu, i cili është i njohur se vuan tmerrësisht nga mesazhomania, lidhur me operacionin tim', - tha Berisha duke iu referuar sipas tij, sms-ve që Rama paskësh dërguar për të njoftuar se Berisha ishte sëmurë.
"Disa prej atyre mesazheve i kam unë këtu, se m'i kanë nisur gazetarët", - përforcoi Berisha akuzën e tij dhe ndërtoi këtë koment:
"Një njeri që e ndërton suksesin vetëm mbi krizën, sëmundjen, fatkeqësinë, imagjinoni ju se ç'mund të bëjë, dje gjithë ditën është marrë me një histori të tillë".
Megjithatëë Berisha e ka pranuar se ka qenë në spital: "Ç'është e vërteta, ditën e premte, në ora 20.15 iu nënshtrova një ndërhyrjeje të planifikuar kirurgjikale për një problem të vogël në shpinën e këmbës, i cili më vështirësonte pak në ecjet e mia "hardjoking", të zakonshme, por që ecja është pasioni im. Pas një operacioni që ka zgjatur rreth 1 orë e 15 minuta, me një anestezi të përgjithshme, pasi e kuptoni vetë se këmba dhe dora kanë shumë mbaresa nervore, unë shkova në shtëpi, pa asnjë lloj ndërlikimi".
Berisha theksoi se "dje dhe sot, kam përmbushur të gjitha detyrimet e mia, përveç ecjes së zgjatur si në çdo fundjavë tjetër, kam punuar kam lexuar".
Kurse më tej i është rikthyer me batutat e tij, rivalit Rama: "Dy fjalë do t'i them këtij zotërie. Operacionet janë për njerëzit dhe njeriu kur ka nevojë do të operohet në këmbë, në dorë, në kokë, në zemër, në bark. Nuk mund të mos them se janë disa operacione të cilat kanë një domethënie tjetër, kur detyrosh t'i bësh ato 30 apo 40 vjet para kohe, flasin vetë. Se shkon të transplantosh flokët, rri edhe dy javë në klinikë dhe nuk të mbin një qime dhe kjo jo për faj të rasatit, por për faj të arës; apo kur shkon për të hequr xhufkat në qepalla dhe të bien sytë më keq; apo kur shkon për të ngulur dhëmbë të rinj dhe nuk të mbajnë".
Në vijim të batutave për Ramën, Berisha ka dashur të tregojë dhe ndonjë "rrëfenjë": "Më kujton një personazh rreth 40-50-vjeçar i Dritëro Agollit, që shkonte për t'u fejuar, dhe i thonte e ëma: Merr një shami pionieri që të dukesh më i ri te nusja!. Pra këto lloj operacionesh, për të mos hyrë te disa të tjera, se nuk dua ta përdor mjekësinë për politikë, edhe mund të bëhen edhe mund të mos bëhen. Kurse ato që janë në funksion të një aktiviteti që ti e ke pasion, siç është ecja, apo kur bëhen për të shëruar një sëmundje, ato janë normale. Ndaj edhe unë dua t'i them mos i helmo me ato mesazhe celularët e gazetarëve, sepse siç e vutë re, vetëm njëri e kishte besuar, se ka besim të verbër nuk kam ç'ti bëj, ku thoshte se edhe kamerat nuk e marrin, se ka bërë një operacion në fytyrë. Po si nuk marrkan kamerat? Kamerat marrin edhe flokë që nuk mbijnë, edhe dhëmbë që vihen 40 vjet para kohe etj, etj, me radhë".
e.r/NOA